Shkup, 25 shkurt – Kryetari i Komitetit Olimpik të Maqedonisë Vasil Tupurkovski dhe drejtori i këtij institucioni Vladimir Bogoveski, të premten kanë qëndruar në vizitë në kampin për fëmijë dhe për kadet, i cili nga dita e hënë po mbahet në klubin e mundjes “Liria”. Ata u pritën nga kryetari i Federatës së Mundjes së Maqedonisë Betim Vrenezi dhe kryesia e klubit të mundjes “Liria”.
Kryetari i KOM u shpreh se nga ky kamp do të dalin pjesëmarrës në Lojërat e ardhshme Olimpike në Buenos Aires të cilat do të mbahen në vitin 2018. “Po e shihni edhe vet se këtu në këtë kamp janë të përfshirë mundës të rinj, të cilët janë perspektiva e mundjes në Maqedoni. Ky është njëri prej sporteve më tradicionale dhe kuptohet me më trofe. Për ne është kënaqësi e madhe që po punohet dhe që janë prezent klube të ndryshme këtu, trajner dhe trajner të reprezentacionit, ndërsa ne u kemi siguruar atyre mjete për kandidatët e mundshëm deri në Lojërat Olimpike për të rinj në Buenos Aires, që të organizohen disa kampe të tilla. Ne nuk kemi kampion për momentin, por besojmë se nga ata do të del dikush. Prandaj ne u japim atyre përkrahje maksimale dhe u sigurojmë mjete edhe në dhjetë sporte tjera, ndërsa do të ketë kampe tjera dhe nga ata do ti rekrutojmë kandidatët tonë dhe jam i sigurt se edhe nga ky kamp do të ketë pjesëmarrës në këto Lojëra Olimpike”, deklaroi Tupurkovski.
Derisa i kënaqur me vizitën që ia bëri kampit për fëmijë u shpreh edhe kryetari i Federatës së Mundjes të Maqedonisë Betim Vrenezi. Ai u shpreh optimist se ndonjëri nga këta mundës do të arrijnë normë olimpike për LO në Buenos Aires në vitin 2018. “Në vizitë në kampin i cili po mbahet në KM ‘Liria’ sot si mysafir kryetarin e Komitetit Olimpik të Maqedonisë Vasil Tupurkovski dhe drejtorin e saj Vladimir Bogoevski, me ndihmën e të cilëve arritëm që të organizojmë këtë kamp, i dyti me radhë pas atij në Kitkë. Ky tani që po mbahet është kamp për përgatitje taktike, ndërsa ai në Kitkë ishte përgatitje bazike. Unë mendoj se nga kjo gjeneratë, e cila është dëshmuar me medaljet e fituara nga turnirë të ndryshme, ndërsa në mesin e tyre kemi edhe fitues të medaljes në Kampionat Ballkanik, do të arrijmë ndonjë normë dhe do të kemi një përfaqësueses në LO në Buenos Aires në vitin 2018”, tha Vrenezi. Ndërkohë, kampi për fëmijë dhe për kadet do të përfundojë sot (e shtunë).
Maqedonia me tre mundës shqiptar në Bullgari
Tre mundës nga përfaqësuesja e Maqedonisë për junior, Behar Mahmuti (Tefejuz), Raif Kamberi (Liria) dhe Ramadan Mustafovski (Tefejuz), po qëndrojnë në Bullgari, ku gjatë vikendit do të marrin pjesë në turnirin ndërkombëtar “Petko Sirakov”. Trajner i tre reprezentuesve të Maqedonisë do të jetë Sasho Ignatovski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.