Shkup, 4 maj – Berat Jakupi është në rrugë të mirë që të përsëris suksesin e madh kur në kategorinë për U 21 ishte kampion i shumëfishtë ballkanik dhe Evropian. Në kuadër të Kampionatit Evropian për senior në Turqi, që është i 52 me radhë, karateisti nga Gostivari është plasuar në finale e madhe, e cila do të mbahet të shtunën. Aty do të takohet me turkun Aktash Ugur, një garues i mirë, por besohet se karateisti nga Gostivari është në formë më të mirë dhe pritet që të ngjitet në piedestalin më të lartë.
Ndryshe, rruga deri në finale nuk ka qenë e lehtë. Fillimisht Berati triumfoi ndaj karateistit rus Denis Denisenko me 2:1, më pas në xhiron e dytë ndaj bjellorusit Anton Isakao triumfoi me deklarim si më I miri pasi lufta përfundoi 0:0, në xhiron e tretë ishte më I mirë se boshnjaku Meris Muhoviç të cilin e mundi me 2:1, derisa në xhiron e katërt mundi poashtu me 2:1 kampionin Evropian dhe Botëror, George Tsanos nga Greqia. Vlen të përmendim se në rast se Berat Jakupi shpallet kampion Evropian në kategorinë e seniorëve, atëherë ai do të fiton pension sportiv të përhershëm nga Republika e Maqedonisë në bashkëpunim me Agjencinë për Rini dhe Sport. (B.K.)