Presidenti në ikje Barack Obama ka dëbuar 35 agjentë rusë të inteligjencës, të cilët veprojnë nën mbulesë diplomatike, nga Shtetet e Bashkuara me akuzat se kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale. Sipas Shtëpisë së Bardhë, këta agjentë kanë hakuar votimin duke favorizuar fitoren e manjatit të pasurive të paluajtshme Donald Trump. Sipas raporteve nga “New York Times”, Washington u ka lënë kohë vetëm 72 orë agjentëve rusë të inteligjencës për t’u larguar nga SHBA. Presidenti Barack Obama ka marrë disa vendime të rëndësishme, pak para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Ai ka urdhëruar edhe vendosjen e disa sanksioneve kundër udhëheqësit të qeverisë ruse, Vladimir Putin duke u shprehur se lëvizjet e fundit të Rusisë janë të rrezikshme dhe se amerikanët duhen të marrin masa. Ndërkohë nga ana tjetër Rusia ka mohuar çdo përfshirje në zgjedhjet Presidenciale në SHBA. Në orët e vona të natës, FBI ka publikuar edhe raportin prej 13 faqesh në të cilin dëshmohet ndërhyrja ruse ndaj qeverisë amerikane.