Nëse shkon në Firence, nuk mund të mos provosh biftekun fiorentin, që është një pjatë e veçantë tipike e zonës. Ti mund të kujtosh se e ke ngrenë edhe më parë, por kur ta provosh në Firence e kupton se nuk është e njëjta gjë. Për këtë pjatë përdoret vetëm mishi i viçit të racës chianina.
Ky biftek duhet të ketë patjetër kockën klasike në formën T. Trashësia e biftekut duhet të jetë të paktën dy gishta, ndërsa pesha varet nga numri i personave që do e konsumojnë. Procesi i gatimit është art më vete. Bifteku marinohet paraprakisht nga 10 deri në 20 ditë. Pjekja realizohet në mënyrë të tillë që shija e mishit të jetë al sangue. Por për kë nuk e pëlqen mishin në gjak, mund ta kërkojë më të pjekur. Kjo pjatë e rrallë nuk gjendet kudo në Firence. Për këtë arsye, dritare.net, ju këshillon restorantin Perseus, në zemër të qytetit, ku mund të shijosh biftekun më të mirë fiorentin, që ke ngrënë ndonjëherë. Në këtë video, që sjell dritare.net, është Dritan Ago, i cili po e bën gati për të servirur këtë pjatë të veçantë, i shoqëruar nga blicet e celularëve të klientëve të cilët e shijojnë shumë këtë moment.
Dritani është shqiptar dhe punon prej kohësh në restorantin e famshëm fiorentin. Ai është nga ata emra të mëdhenj të kuzhinës që i mungon programit televiziv Master Chef, por mesa duket e ka të pamundur të largohet qoftë edhe pak çaste nga restoranti ku njeh dhe e njeh çdo klient. Sepse është Ago i Perseus. Nëse do të shkoni në Firence, mos rrini pa shkuar. Do të prisni pak në radhë dhe do të shpenzoni 50-70 euro, një kg për dy-tre persona, por ama, ia vlen e gjitha, deri në kafshatën e fundit.