Patriot LUMANI
Strugë, 30 dhjetor – Është bërë fenomen që përsëritet tashmë pothuajse çdo javë zjarrëvënia e qëllimshme e palmave në qytetin e Strugës. Së fundi, radhën e kishte një palmë para godinës së Komunës së Strugës, shkruan gazeta KOHA. Sipas dëshmitarëve, ishin tre persona që qëllimisht i vunë zjarrin mbështjellësit të bimës dhe më pas u larguan. Dëmtimi i pronës publike në qytetin e Strugës nga individ të pandërgjegjshëm apo grupe të caktuara, ka marrë një dimension shqetësues për faktin se po përsëritet në shumë drejtime. Kështu përveç dëmtimit të trotuareve dhe vjedhjes së pllakave, vjedhjes së koshave të mbeturinave, dëmtimit të sinjalistikës rrugore, vjedhjes së luleve dhe dëmtimit të gjelbërimit në vazhdimësi dëmtohen palmat e mbjella, të cilave në shumë raste u është vënë zjarri. Para disa kohësh, drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Higjienës, Garip Kaba, informoi se një keqbërës është identifikuar si personi përgjegjës për djegien e qëllimshme të këtyre bimëve të mbjella para Këshillit komunal. Kaba saktëson se tashmë ndaj personit në fjalë do të veprojnë organet kompetente për ta proceduar rastin. Ai saktëson se nuk është ky rasti i parë që në mënyrë të qëllimshme dëmtohet prona publike apo djegia e palmave në Strugë. “Ky rast duhet të shërbej si një mësim që të gjitha ata që dëmtojnë pronën publike apo palmat në mënyrë të qëllimshme duhet të marrin dëmtimin e merituar. Ne si kompani bëjmë të pamundurën që Struga të jetë një qytet i pastër dhe i rregullt në çdo drejtim dhe në këtë drejtim duam edhe mbështetjen e qytetarëve”, thotë ai. Nga pushteti vendor për këtë situatë në disa raste kanë reaguar duke thënë nuk është rasti i parë , që ndodhin akte të tilla vandale në dëm të pronës publike dhe të njëjtat i kemi denoncuar. Sipas vendorëve, vetëm disa nga këto raste janë zbuluar dhe pak nga personat përgjegjës kanë marr ndëshkimin e merituar. Para dy vjetëve me ceremoni në Strugë u mbollën palma ku asistoi edhe Zharko Karaxhoski, drejtori i Pyjeve të Maqedonisë, aksion ky siç u tha, atëherë kishte mbështetjen edhe të qeverisë. Kjo lloj bime u mboll në Ohër, Strugë dhe Dojran. Pjesa më e madhe e tyre – shikuar nga gjethet -janë tharë, dhe nuk e mbijetuan dimrin, ndërsa disa prej tyre e kanë ruajtur vitalitetin dhe gjelbërimin. Shkaqet e tharjes së palmave, sipas mendimit të agronomëve dhe biologëve, mund të jenë të shumëllojshëm e një nga ato shkaqe mund të konsiderohet edhe kushtet që kanë pasur këto palme në fidanishte prej nga janë sjellë. Nga “Komunalja”, pavarësisht që nuk duan të komentojnë indirekt, thonë se kjo lloj bime që është zgjedhur, është shumë me rezistent dhe me shumë gjasë do të mbijetojë në Strugë, sepse arriti të mbijetojë vitin e parë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.