Ja cilat vendvotime i konteston BESA

Shkup, 13 dhjetor – Sot, Blerim Sejdiu anëtari i kryesisë së Lëvizjes BESA ka dorëzuar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) disa parashtesa për disa vendvotime në Njësinë zgjedhore numër dy dhe gjashtë, ku BESA akuzon se janë bërë manipulime zgjedhore, me çka del se Lëvizjes BESA i janë vjedhur më së paku deputetë. Para gazetarëve, Sejdiu ka akuzuar se gjatë tërë ditës së zgjedhjeve, persona të afërt me BDI-në kanë shantazhuar aktivistë të aleancës “Rilindje me BESË”, ndërsa thotë se ka pasur edhe votim familjar. “Veç kësaj, anëtarët e Komisionit zgjedhor nuk i kanë prerë me gërshërë fletat e mbetura të votimit ashtu siç parashihet në rregulloren ligjore të zgjedhjeve. Kemi regjistruar dhe fleta votimi pa vulë, me qëllim që më vonë të shpallen të pavlefshme”. Ankesat, siç ka thënë Sejdiu, bëhet fjalë për votime të fshatrave të Likovës, Haraçinës dhe në Tetovë.