Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu u kërcënua me shqyrtim të marrëdhënieve mes Izraelit dhe KB-së, pasi Këshilli i Sigurimit i Organizatës Botërore miratoi rezolutë me të cilën dënohet politika izraelite për ndërtim të lagjeve hebraike në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin lindor. Netanjahu tha se tashmë ka kërkuar nga Qeveria ta shqyrtojë pjesëmarrjen e mëtejme financiare të Izraelit në fondet e Organizatës Botërore dhe tërheqjen e vendit nga projektet që i udhëheq KB-ja. Me rezolutën që e parashtruan katër vendet anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit – Zelanda e Re, Venezuela, Malajzia dhe Senegali – vazhdimi i ndërtimit të lagjeve hebraike është shënuar si shkelje e të drejtës ndërkombëtare, por edhe si pengesë për zgjidhje të qetë sipas modelit “dy shtete” Izraeli dhe Palestina. Pro rezolutës votuan 14 vende anëtare, ndërsa SHBA abstenoi. Kjo është hera e parë nga viti 1979, në Këshillin e Sigurimit të dënohet Izraeli për politikën e ndërtimit të lagjeve në territoret të cilat janë nën kontroll të tij pas luftës së qershorit në vitin 1967. Netanjahu , i cili në të njëjtën kohë është edhe ministër izraelitë i Punëve të Jashtme, i ka bërë thirrje ambasadorit amerikan në Izrael, Den Shapiro, që t’i dorëzojë protestë me gojë, që vlerësohet si gjest tejet i pazakontë për marrëdhëniet e SHBA dhe Izraelit. Në të njëjtën kohë, janë ftuar për protestë edhe ambasadorët e të gjitha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të cilët kanë misione diplomatike në Izrael. Tani Netanjahu paralajmëron “luftë me të gjitha mjetet, përveç atyre ushtarake” për eliminimin e masave nga rezoluta dhe filloi t’i “dënojë” vendet të cilat e propozuan rezolutën. Qeveria e Tel Avivit i tërhoq ambasadorët e saj nga Zelanda e Re dhe nga Senegali, ndërsa i anuloi edhe vizitat e ministrave të Punëve të Jashtme të Senegalit dhe Ukrainës. Presidenti i sapozgjedhur amerikan Donald Tramp reagoi në tuiter me vërejtje se bëhet fjalë për “humbje të rëndë për Izraelin, që sipas tij “vetëm do t’i përkeqësojë përpjekjet për paqe”. Tramp tha se administrata e tij, kur bëhet fjalë për KB-në, punët do t’i zgjedhë në mënyrë të ndryshme.