Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot do të mbajë fjalim në sesionin presidencial të Forumit euroaziatik ekonomik të 20-të, që mbahet në Stamboll.
Në forum, i cili tradicionalisht mbahet çdo vit në Stamboll marrin pjesë burrështetas aktualë dhe të mëparshëm, presidentë, kryeministra, ministra, personalitete të njohur nga jeta shoqërore dhe politike, sektori joqeveritar dhe bashkësia e biznesit nga 40-të shtete.
Këtë vit Forumi euroaziatik ekonomik, mbahet me temën “Njerëzimi në udhëkryq”, ndërsa mes temave të diskutimit do të jenë edhe sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian. Presidenti Ivanov, dje mbajti fjalim në hapjen e forumit dhe porositi se Evropa mbetet superfuqi e stilit jetësor.
“Edhe pse kjo superfuqi tani është në krizë, nuk guxon të harrohet se kriza është edhe mundësi për zgjidhje të reja”, theksoi Ivanov në fjalim. Organizator i Forumit ekonomik euroaziatik është fondacioni Marmara, grup për hulumtime ekonomike dhe shoqërore i cili ka për qëllim avancimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe vendeve nga Azia Qendrore dhe Lindja e Afërt.