Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot e ka pritur sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së Lamberto Zanieri. Në takim, siç kumtoi Kabineti i Ivanovit, janë shkëmbyer mendime për gjendjen aktuale në Republikën e Maqedonisë dhe sfidat, me të cilat përballet shteti të shkaktuara nga politika, kriza kushtetuese dhe institucionale.
“Në kontekst të gjendjes aktuale, presidenti Ivanov i ka përsëritur qëndrimet se ka aspekt juridik dhe politik, të cilat janë problem, por edhe parakusht për dalje nga gjendja. Në lidhje me aspektin juridik të ndërlidhur me afatet për ndarje të mandatit, theksoi se është i tejkalueshëm lehtë. Në lidhje me aspektin politik, presidenti Ivanov theksoi se mbetet në qëndrimin se platforma nga Tirana duhet të dënohet dhe të hidhet poshtë, njëjtë sikur edhe përzierja në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë, të cilat nuk ndihmojnë në orvatjet për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, thuhet në kumtesë. Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së ka shprehur shqetësim për tensionet ndëretnike, duke apeluar që të gjithë të bëjnë hapa konstruktivë për tejkalimin e krizës. Ai është dakorduar me presidentin Ivanov se liderët nga rajoni duhet të përmbahen nga retorika e dëmshme.
“Presidenti i Maqedonisë dhe sekretari i përgjithshëm i OSBE-së shkëmbyen opinione edhe në lidhje me gjendjen e sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për krizën e emigrantëve dhe të refugjatëve. Presidenti Ivanov theksoi se Republika e Maqedonisë edhe më tej i zbaton masat konform konkluzioneve të Këshillit Evropian për ndërprerje të shpejtë të fluksit të emigrantëve, për mbrojtjen e kufijve, zvogëlimin e emigracionit ilegal dhe ruajtjen e integritetit të zonës Shengen”, thuhet në kumtesë. Zanieri sot është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Poposki, ndërsa pasdite duhet të ketë takime edhe me përfaqësues të partive politike parlamentare.