Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 prill – Investimet e huaja në Maqedoni vitin e kaluar arritën në 358.4 milionë euro, ose tre herë më pak se niveli i tyre në Shqipëri, ku në 2016 u investuan gati një miliardë euro, shkruan gazeta KOHA. Përveç Maqedonisë, rezultate më të dobëta me 137 milionë euro në nëntë muajt e parë të 2016-ës shënon vetëm Bosnje e Hercegovina dhe Kosova që në vitin e kaluar ka realizuar investime të huaja në vlerë prej 215 milionë euro. Në ndërkohë, Maqedonia në kushte të ngërçit politik ballafaqohet me derdhje të kapitalit, si dhe ngadalësimin e investimeve të huaja në raport me pritshmëritë e mëdha. Këtë e tregon edhe fillimi i vitit, apo muaji janar që filloi me derdhjen më të madhe të kapitalit prej 33 milionë euro si shumë më e madhe për një muaj e shënuar në katër vitet e fundit. Nga ana tjetër, vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2016 shënohet derdhje e kapitalit prej 30 milionë euro prej të cilave 22.6 milionë euro janë tërhequr në muajin shtator të 2016-ës. Vlerësohet se kriza politike po ngadalëson si planet investuese të kompanive të huaja, ashtu edhe atyre vendore për të zgjeruar kapacitetet, të marrin kredi të reja, por po ngadalëson edhe konsumin e qytetarëve. Sipas ekonomistëve, kriza e stërzgjatur politike po merr haraçin e saj dhe pasqyrohet negativisht në vendimet e investitorëve të huaj që të investojnë në një shtet me klimë jostabile politike.
INVESTIME TË DOBËTA EDHE NË KOSOVË
“Situata aktuale ekonomike dhe politike ndikon që kompanitë që kanë investuar ose planifikojnë të investojnë – të kenë kujdes dhe të bëjnë analiza shtesë për planet e tyre. Kriza duhet të zgjidhet me qëllim që të rrjedhin proceset ekonomike që do të ndikojë edhe në investimet e huaja, por edhe në tërë ekonominë”, thotë për KOHA, Viktor Mitevski, nga Shoqata e Analistëve rë Rinj. Nga ana tjetër, ekspertët ekonomik vlerësojnë se ekzistojnë më shumë shkaqe se pse në Maqedoni nuk investohet fitimi dhe pse shënojmë ulje të investimeve të huaja në raport me shtetet fqinje. Përkundër përpjekjeve që i ndërmarrim si shtet siç janë “roud shout” e shumta, lehtësimet për kompanitë e huaja, formimi i zonave të lira dhe masa të ngjashme, zvogëlimi i investimeve të huaja mund ti detyrohet, krahas krizës politike, edhe konkurrencës së fqinjësisë sonë si Shqipëria, Kosova apo Serbia, që ndërmarrin aktivitete për tërheqjen e investimeve të huaja vlerësojnë ekonomistët. Në ndërkohë, gati gjysma e investimeve të huaja në Shqipëri apo investimet për gazsjellësin TAP kanë sjellë rreth 40 për qind të totalit të Investimeve të Huaja Direkte për vitin 2016, duke amortizuar tkurrjen e ndjeshme të industrisë nxjerrëse apo të mineraleve. Investimet e huaja arritën në 983 milionë euro në vitin 2016, ndërkohë që në raport me vitin 2015, Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri janë rritur me 10 për qind. Në Kosovë, vitin e kaluar edhe si rrjedhojë e problemeve të shumta politike, në vitin 2016 janë investuar 215 milionë euro që paraqet një rënie prej afër 100 milionë euro në raport me vitin 2015 kur janë realizuar afër 309 milionë euro investime të huaja, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore të Kosovës. Sipas vlerësimeve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, rënia e investimeve në raport me vitin paraprak vjen si rrjedhojë e situatës politike të brendshme jostabile. Në Malin e Zi janë realizuar afër 550 milionë euro investime të huaja vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore të shtetit malazez. Investitori i parë me 188 milionë euro është Norvegjia, e dyta është Italia me 47 milionë euro dhe e treta me 37 milionë euro është Rusia. Kryesisht investimet në shtetin më të vogël në Ballkan janë realizuar në patundshmëri në det, por edhe në kompanitë vendore dhe në banka. Por nga ana tjetër, edhe nga Mal i Zi shënohet derdhje e madhe e kapitalit, madje prej 270 milionë euro vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2016 në emër të pagesës së dividendës së një kompanie të huaj. Serbia vitin e kaluar shënon prurje prej 1.9 miliardë euro investime të huaja që është për dy të tretat më shumë se në vitin 2010. Njëherësh, firmat e huaja kanë nxjerrë 1.4 miliardë euro nga Serbia në emër të dividendës dhe obligimeve të tjera ndaj pronarëve të kapitalit.
Më pak investime në rajon shënohen në Bosnje dhe Hercegovinë me 274 milionë marka konvertibile apo 137 milionë euro në nëntë muajt e parë të vitit 2016, që është dyfish më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndryshe, ndër shtetet që më shumë kanë investuar në Maqedoni me nga afër 23 milionë euro renditet Gjermania dhe Turqia. Italia dhe Bullgaria kanë investuar nga afërsisht 12 milionë euro. Sipas veprimtarive – në industri janë investuar 38 milionë euro, në financa dhe xehetari janë investuar nga 15 milionë euro, në energji elektrike dhe gaz janë investuar 11 milionë euro dhe në ndërtimtari – afër 12 milionë euro.
MË SHUMË KEMI SHPENZUAR NË BRITANI, HUNGARI DHE GREQI
Mbreteria e Bashkuar, Hunagaria dhe Greqia vitin e kaluar kanë qenë destinacionet më të shpeshta për shoping për qytetarët e Maqedonisë. Këtë e deklaruan nga Banka Popullore në operacionet e pagesave, sipas të cilës, në këto tre vende qytetarët e Maqedonisë vitin e kaluar kanë lënë më shumë para me anë të kartave të pagesës. Gjithashtu, tek ne më shumë para nga kartelat e huaja kanë shpenzuar qytetarët e SHBA, Zvicrës dhe Britanisë së Madhe. Gazeta KOHA së fundmi shkroi se statistika e pagesës tregon se qytetarët e Maqedonisë vitin e kaluar në kartelat e pagesës jashtë vendit kanë shpenzuar 180 milionë euro, ndërsa të huajt me kartela të pagesës në vendin tonë kanë lënë 237 milionë euro. “Me statistikën e re të pagesave njëherë sigurohen të dhëna për transaksionet ndërkufitare në punën me kartelat e pagesës. Analiza e këtyre të dhënave tregon se kartelat vendore jashtë shtetit më shumë janë përdorur për pagesë në tregti, ndërsa pjesëmarrje të konsiderueshme kanë dhe pagesat për internet-tregti. Duke analizuar nëpër vende të ndryshme, vlerë më të madhe të transaksioneve me kartela vendore janë realizuar në Mbretërinë e Bashkuar, Hungari dhe në Greqi. Kur bëhet fjalë për transaksionet e të ardhurave të realizuara në ekonominë vendase me kartela të pagesës të lëshuara jashtë vendit, shumë më e madhe është realizuar më kartelat e pagesës të lëshuara në SHBA, Zvicër dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Krahasimi i shumës nga transaksionet e realizuara në domenin e pagesave me kartelë, me kartela të lëshuara në vend dhe jashtë vendit, tregon të ardhurat neto për Maqedoninë në shumë prej 5.6 miliardë denarë në vitin 2016”, thuhet në raportin e Bankës Popullore të Maqedonisë. Numrat tregojnë se qytetarët e Maqedonisë për 12 muaj – vitin e kaluar, nga 180 milionë euro të shpenzuara për shoping dhe vizitë jashtë vendit, 137 milionë euro kanë shpenzuar nga kartelat e pagesës, të cilat i kanë shtypur në vendin e blerjes apo në bankomat në ndonjë vend të huaj, ndërsa pothuajse 41 milionë euro janë shpenzuar nga kartelat e personave juridik. Matematika tregon se qytetarët nëpër bankomatet jashtë vendit në muaj kanë dalur mesatarisht më shumë se 10 milionë euro dhe shtesë mbi 3 milionë euro ka qenë shuma e cila është shpenzuar jashtë vendit nga kartelat në pronësi të kompanive të Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara