Gostivar, 21 nëntor – Në prani të drejtuesve vendas dhe koordinatori për Ballkan të “Ilksavit”, qytetarëve dhe kryetarit të Komunës, Nevzat Bejta, u inaugurua konvikti i Qendrës për Edukim, Kulturë dhe Art “Ilksav”, në qytetin e Gostivarit, raporton gazeta KOHA. Gjatë fjalimit të tij, kryetari Bejta theksoi që Komuna e Gostivarit vazhdimisht ka mbështetur iniciativa të tilla që shkojnë në dobi të rinisë. Në konvikt, shtoi Bejta, do të qëndrojnë nxënës dhe studentë nga qytetet e tjera, të cilëve do tu sigurohet qëndrim dhe ushqim pa pagesë, dhe mbi gjitha do tu mundësohet ndjekja e kurseve të ndryshme siç është lënda nga matematika apo gjuha angleze. “Kur më vizituan në Komunë po sa e mora mandatit, ma shprehën dëshirën dhe vullnetin e tyre që në qytetin e Gostivarit të ndërtojnë një konvikt të bukur. I prita me një kënaqësi të madhe. U thash se Gostivarit i takon një konvikt nga Fondacioni për Dituri, Kulturë dhe Art, për shkak se Gostivari është një nga pesë qytetet më të mëdha në Maqedoni dhe qytetarët e Gostivarit janë të mrekullueshëm. Kanë një kulturë të veçantë në veten e tyre, e duan fenë, diturinë, kulturën dhe artin. Ia nisëm punës. Si kryetar Komune kam dhënë me mijëra leje, por kjo leje është e veçantë sepse është ndërtuar një objekt shumë i bukur dhe ka zbukuruar lagjen e re. Është afër Xhamisë dhe këtu do të edukohen fëmijët e Gostivarit, dhe kjo do të bëhet pa pagesë”, tha mes tjerash kryetari Bejta. Drejtuesi i qendrës në Maqedoni, Qemal Zhupanin dhe koordinatori për Ballkanin, zotëri Faruk Hoxha, falënderuan drejtuesit e Komunës së Gostivarit për mbështetjen e ofruar në ndërtimin e objekti ku është vendosur konvikti, i cili posedon shumë hapësira, duke filluar nga dhomat e gjumit, kuzhina, këndi i lojërave, biblioteka, faltorja dhe hapësira të tjera të nevojshme për edukimin e nxënësve. (D.Z)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.