Deputeti turk i Parlamentit të Maqedonisë, Enes Ibrahim, ka akuzuar të premten VMRO-DPMNE-në se në 11 vitet e qeverisjes, me komunitetin turk ka realizuar politikë destruktive. Madje, sipas tij, asnjë premtim për punësimin e turqve në administratë nuk është përmbushur. “Turqit janë të lënë në mesjetë. Funksionarët e VMRO-DPMNE-së të cilët janë të frikësuar nga drejtësia, nëpërmjet bllokimit të Parlamentit, përpiqen të amnistohen”, është shprehur Ibrahim. Në pyetjen e gazetarëve se kur pritet të zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit, deputeti turk shprehu optimizëm se kjo do të ndodhë së shpejti, ndërsa informoi edhe për formimin e shpejtë edhe të Qeverisë.