Elbasan, 10 mars – Një shtetas i Maqedonisë me inicialet U.B është arrestuar nga Policia në Elbasan, pasi ai i ka ofruar ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore me qëllim që t’i shmangej masës administrative. Sipas Policisë së Shqipërisë, arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, është ndaluar nga Patrulla e Policisë Rrugore, për arsye se ka qenë duke drejtuar mjetin në shkelje të Kodit Rrugor. “Në momentin e ndalimit 42 vjeçari ka tentuar t’i jap një kartëmonedhë 1000 lekëshe punonjësit të Policisë Rrugore me qëllim që t’i shmangej masës administrative pasi nuk kishte vendosur rripin e sigurimit. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale kartëmonedhën 1000 lekëshe. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë.