Një 56-vjeçar nga Maqedonia i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia kufitare në Dibër. Bafti Ibraimi, 56 vjeç, banues në Tetovë, u kap në dalje të vendkalimit kufitar Bllatë, ku gjatë regjistrimit në sistem, rezultoi person “i shpallur në kërkim ndërkombëtar” nga Interpol Vjena. Policia shqiptare sqaron se Gjykata lokale e Ahrensburg ka lëshuar ndaj tij urdhrin e arrestit Nr. 50 Gs 16/16, datë 20-01-2016, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje me thyerje”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal Gjerman. Maksimumi i dënimit 10 vjet burg. Gjithashtu, Zyra e Prokurorit të Gaz ka lëshuar ndaj tij urdhrin e Arrestit Evropian Nr.10 St 140/15h, datë 08.06.2015, për veprën penale “Trafik i paligjshëm droge”, parashikuar nga neni 28a i Ligjit Austriak për drogën. Maksimumi i dënimit 15 vjet burg. 56-vjeçari u arrestua me qëllim ekstradimi. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër.