Shkup, 11 dhjetor – Ende pa u publikuar rezultatet zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, shefi i Shtabit zgjedhor të koalicionit “Rilindje me BESË”, Arianit Hoxha, ka njoftuar se Komuna e Çairit tashmë është bastion i ri i Lëvizjes BESA. Këto të dhëna Hoxha i publikoi në konferencën e dytë të mbajtur për shtyp, ku mes tjerash tha se ky koalicion bindshëm udhëheq edhe në Njësinë zgjedhore numër 2, ku përfshihet qyteti i Kumanovës dhe Komuna e Likovës. Komunat tjera ku kjo lëvizje udhëheq bindshëm, sipas Hoxhës, janë Komuna e Tearcës, Butelit, Gazi Babës, Studeniçanit… Në ndërkohë, në Komunën e Tetovës, siç potencoi ai, Lëvizja BESA udhëheq në pesë vendvotime, përderisa informacione më të detajuara për këtë njësi dhe vendvotimet tjera do të publikohen në konferencën e fundit për shtyp që pritet të mbahet pas mesnate. Ndryshe, sipas informacioneve jozyrtare deri tek të cilat arriti gazeta KOHA, drejtuesit e koalicionit “Rilindje me BESË” do të kërkojnë rivotim në Komunën e Sarajit, pasi të njëjtit dyshojnë për manipulime dhe shkelje që janë bërë në këtë komunë.