Evis HALILI
Shkup, 10 mars – Bashkësia e hebrenjve ka përkujtuar 74 vjetorin e deportimit dhe shfarosjes së mbi 7200 hebrenjve nga Maqedonia, drejt kampit të përqendrimit Treblinka, shkruan gazeta KOHA. Mbledhja komemorativ u organizua në ndërtesën e ish Monopolit, aty ku u përqendruan grupi i hebrenjve të mbledhur nga Shtipi, Manastiri dhe Shkupi. Mes tyre, 539 fëmijë të moshës deri tre vjeç, 610 fëmijë nga 3 deri në 10 vjeç, 1172 deri të moshës deri 16 vjeç, 865 mbi 60 vjeç, 250 të tjerë në gjendje të rënduar shëndetësore. Grupi qëndroi disa ditë në ndërtesën e Monopolit. Ata u dërguan me trena në Treblinkë në tre grupe, më 22, 25 dhe 29 mars të vitit 1943. Gjatë qëndrimit të tyre në këtë ndërtesë, atyre iu ndalohej të ndiznin zjarr, të shihnin nga dritarja, të pinin ujë. U lejohej të ushqeheshin 2 herë në ditë me supë të kripur, të mbanin të veshur vetëm një palë rroba dhe vetëm 30 minuta për 3 mijë persona për të kryer nevojat personale. Nuk mund të falim në emër të të vdekurve dhe nuk duhet të lejojmë që kjo tragjedi të përsëritet dikur tjetër, apeloi kryetarja e Bashkësisë së Hebrenjve, Berta Romano Nikoliq.
“Për ta e vetmja gjë që dimë është se ishin këtu, dergjeshin në dhimbjen e tyre, mbi dërrasa nga 300 -400 veta në një dhomë. Por nuk i dimë vuajtjet e tyre, çfarë përjetuan ata… Askush nuk u kthye nga Treblinka, vdiqën në forma të ndryshme, u ekzekutuan, u dogjën në krematorë. Nuk ka asnjë dëshmitar. Krimi nuk la gjurmë, që të mos dihet asgjë. Aty ka mbetur vetëm një fushë ku janë vendosur gurë në kujtim të viktimave- nga Maqedonia dhe pranë tyre gurë në kujtim të hebrenjve nga vendet e tjera. Nuk duhet dhe nuk guxojmë të harrojmë, dhe as ne të gjallët nuk mundemi që të falim askënd në emër të të vdekurve, por do të vazhdojmë të flasim, të tregojmë të mësojmë historinë e të parëve tanë dhe të mos lejojmë që të përsëritet askund dhe tek askush”, ka thënë në falën e saj Berta Romano Nikoliq.
Ndërsa ambasadori Jan Deboutte, shef i delegacionit belg dhe përfaqësues i presidencës së IHRA ndër të tjera vuri në dukje se vetë organizimi i kësaj ngjarje komemorative tregon se ashtu si IHRA keni bindjen se Holokausti nuk do të mbetet një temë e zakonshme e hulumtimit historik, apo e këndvështrimit akademik, por duhet të shërbejë si një përkujtues aktiv i rreziqeve që vijnë nga demonët e urrejtjes dhe intolerancës. “Ju falënderoj që respektoni këtë ditë të rëndësishme. Megjithatë nuk duhet që ta kujtojmë vetëm një herë në vit. Duhet çdo ditë që ne t’i përmbushim detyrimet tona dhe të luftojmë paragjykimet, racizmin, antisemitizmin, ekstremizmin që janë prezent sot në Evropë. Bota mund të marrë mësim prej Holokaustit, se çfarë mund të ndodhë kur diskriminimi, persekutimi dhe cenimi i të drejtave të njeriut nuk zgjidhen në nivel nacional dhe ndërkombëtar”, ka deklaruar ambasadori Deboutte. Një pjesë edhe pse e vogël e komunitetit hebre arriti të shpëtonte falë ndihmesës së shqiptarëve, duke i mundësuar atyre të largoheshin në ilegalitet drejt Shqipërisë.
“Sot është një ditë e trishtuar që tërheq vëmendjen për të bërë kujdes dhe për të qenë të vëmendshëm që ngjarje të tilla të gjenocidit të mos përsëriten më. Nga ana tjetër ne si shqiptarë jemi krenarë, për arsye se Shqipëria është i vetmi vend në botë që i ka mbrojtur hebrenjtë falë bujarisë dhe shpirtit të madh. Po ashtu me këtë rast dëshiroja të them dhe jam i bindur se edhe partitë politike dhe të gjithë popullsitë që përbëjnë këtë shtet multietnik do të dinë që me mençuri të gjejnë rrugën për vendosjen e shtetit ligjor dhe futjen e Maqedonisë në rrugën e proceseve integruese euroatlantike”, ka thënë ambasadori i Shqipërisë Fatos Reka. Ndërsa drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore, Skënder Hasani tha se 11 marsi është njolla më e keqe që Shkupi nuk mund ta shlyejë dot.
“Kjo është arsyeja që jemi mbledhur të përkujtojmë gjenocidin e kësaj ngjarje makabre. Prej saj mund të marrim një mësim dhe t’i apelojmë elitave politike që nga një shpërqendrim i vëmendjes për politika klanore homogjene mund të vijë edhe deri tek një situatë e tillë me përmasa katastrofike”, ka thënë Hasani.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.