Tërmet te Holanda pas humbjes shokuese ndaj Bullgarisë në Sofie. Danny Blind nuk do të jetë më trajneri i përfaqësueses portokalli. Federata holandeze e futbollit pas disfatës së fundit me shifrat 2-0 që ka komplikuar shumë shanset e tulipanëve për tu kualifikuar në Botërorin Rusi 2018, qoftë edhe nëpërmjet play-off-it, kanë vendosur të shkarkojnë nga detyra 55-vjecarin. Merr fund pas 5 vitesh aventura e Danny Blind te Holanda. Ky i fundit nga 2012 deri në 2015-tën ka punuar si asistent fillimisht i Louis Van Gaal dhe më pas i Guus Hiddink ndërkohë që prej 1 Korrikut të 2015-tës ai ishte emëruar trajner i parë i Holandës. Blind do të zëvendësohet përkohësisht në stol nga trajneri i përfaqësueses së 21-vjecarëve, Fred Grim i cili do të drejtojë Holandën në miqësoren e të Martës ndaj Italisë, ndërsa që nga e Mërkura drejtuesit e federatës do të nisin nga puna për të gjetur pasuesin e 55-vjecarit.
“E respektojmë shumë Danny dhe i dimë vlerat që ai ka përcjellë te skuadra, por rezultatet sportive kanë qenë zhgënjyese dhe vështirësitë që po hasim për tu kualifikuar në Botërorin e Rusisë na detyrojnë të ndahemi, lexohet në komunikatën e KNVB, federatës holandeze të futbollit. Humbja ndaj Bullgarisë ka lënë shumë pasoja te Holanda që tashmë ka zbritur në vendin e 4-t të grupit A kualifikues teksa është parakaluar në renditje nga Suedia por edhe nga Bullgaria. Një lumë kritikash kanë mbrritur në drejtim të përfaqësues portokalli pas sfidës së të Shtunës. Ka shfryrë ndaj shokëve të skuadrës por edhe ndaj vetes edhe mesfushori i Romës Kevin Strottman, i cili deklaroi se Holanda është në një situatë dramatike dhe mbrëmjen të Shtunës të gjithë futbollistët ishin të padenjë për të përfaqësuar fanellën e Holandës.