Zejnulla VESELI
Shkup, 28 qershor – Nga viti 2006 e deri në fund të vitit 2016 investimet e huaja direkte sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM) kapin shifrën totale prej 2.7 miliardë euro, ndërsa gjatë këtyre10 viteve më së shumti investime kanë ardhur nga Holanda, shkruan gazeta KOHA. Investimet e përgjithshme holandeze arrin vlerën prej 438 milionë euro, ndërkohë Franca është shteti që më shumti ka patur transfer parash drejt firmave amë në vlerë prej 146 milionë euro në 10 vitet e fundit. Investimet e huaja direket vitin që lamë pas sipas BPM-së kapin shifrën totale prej rreth 455 milionë euro, edhe atë 319 milionë euro janë ri-investime të kapitali bazë, ndërsa investime direkte nga jashtë kapin shifrën prej 136.8 milionë euro. Investimet më të mëdha në vitin 2016 kanë ardhur nga Gjermania, Holanda dhe Turqia, ndërkaq më së shumti transferim të parave gjatë vitin të kaluar ka patur drejt Bermudeve, në vlerë prej 67.3 milionë euro. Shikuar sipas shteteve, vitin e kaluar investime të huaj në vlerë prej 40 milionë eurove kanë ardhur nga Gjermania, Holanda 28 milionë euro, Turqia 28 milionë euro, Bullgaria 16 milionë euro dhe Britania e Madhe me 15.9 milionë euro. Të dhënat e BPM-së tregojnë se gjatë vitin 2015 derdhje të parave, gjegjësisht pagesa të dividendëve drejt firmave amë ka pasur në Francë në vlerë prej 147 milionë euro, në Britaninë e Madhe janë paguar dividendë drejtë firmave amë në vlerë prej 37.6 milionë euro dhe në Luksemburg 21.7 milionë euro. BPM-ja nuk precizon saktë se cilat kompani të huaja prezentë në Maqedoni i ka nxjerrë paratë jashtë Maqedonisë gjatë vitit 2015, por shikuar sipas sektorëve ekonomik 107 milionë euro të derdhura jashtë vendit janë kompani të minierave, 33 milionë euro janë kompani nga sektori financiar dhe 25 milionë euro janë kompani të huaja që prodhojnë vetura dhe rimorkio. Ndërkohë, vitin e kaluar shikuar sipas veprimtarisë më së shumti është investuar në prodhimtari të tekstilit 52.15 milionë euro, për prodhimin e veturave dhe rimorkiove janë investuar 35.5 milionë euro, në ndërtimtari 20 milionë euro dhe në prodhimin e energjisë elektrike 16.5 milionë euro.
Më shumë para nga vendi, përcjell KOHA, kanë nxjerr kompanitë e huaja që për veprimtari e kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë, përkatësisht rreth 62,4 milionë euro. Të dhënat e fundit të BPM-së tregojnë se viti 2014 ka qenë vit kur më së shumti kompanitë e huaja kanë dredhur para jashtë Maqedonisë drejt firmave të tyre amë. Nëse do të shikonim sipas shteteve, për këto 10 vite më së shumti ka investuar Holanda, në vlerë të përgjithshme prej 438 milionë euro. Shteti dytë që më së shumti ka investuar gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit është Sllovenia me 349,6 milionë euro, Austria me 335 milionë euro, Turqia me 212,6 milionë euro dhe Gjermania me 208 milionë euro. Në anën tjetër, përgjatë dhjetë vite me radhë më shumë dividendë drejt kompanive amë janë paguar drejt Francës në vlerë prej 147 milionë euro, në vendin e dytë është Hungaria me 22 milionë euro. Ndryshe, sa për krahasim sipas të dhënave Bankës Kombëtare të Shqipërisë, të publikuara në bilancin e pagesave në vitin 2016, kompanitë e huaja investuan në ekonominë shqiptare saktësisht 983 milionë euro, ose 10.5 për qind më shumë se një vit më parë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.