Maqedonia gjendet në krizë politike, por partitë nacionaliste thellojnë ndarjen midis kombeve në Maqedoni, shkruhet në një informacion nga Shkupi të revistës gjermane “Der Spiegel”, transmeton gazeta KOHA. Një gjest i vogël, por me përmbajtje eksplozive: pas zgjedhjes së Kryetarit të ri të Parlamentit, Talat Xhaferri dhe pasi ai u vendos në zyrën e Kryetarit, ai vendosi tre simbole: atë të Maqedonisë, të Bashkimit Europian dhe atë shqiptar. Maqedonia është për momentin shteti më i brishtë në Ballkanin Perëndimor, dhe ky gjest shkaktoi reagime të mëdha në opinion”, shkruan Der Spiegel dhe thekson frikën nga fantazma “Shqipëri e Madhe”. Kjo sidomos pas konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, në të cilën plotësohen të drejtat e shqiptarëve, por vetëm teorikisht. Në lidhje me këtë çështje, autori Keno Verseck citon më tej analistin Albert Musliu, i cili thotë se derisa Marrëveshja e Ohrit nuk zbatohet plotësisht dhe nuk garantohen të drejtat e shqiptarëve “shqiptarët nuk do t’i shohin institucionet shtetërore si të vetat”. Më tej “Der Spiegel” komenton zgjedhjet parlamentare në vend, paraqitjen e platformës së shqiptarëve dhe deklaratat e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për bashkimin e Shqipërisë, nëse nuk përshpejtohen bisedimet për integrimet në BE. Revista ndalet edhe në skenarin që e shfrytëzon presidenti Gjorgje Ivanov, që të mos e japë mandatin për formimin e qeverisë së re. “Edhe pse dokumenti (Platforma Shqiptare) synon të ngjallë debat, nacionalistët maqedonas protestojnë më shumë se dy muaj kundër “Platformës së Tiranës”. Për zhvillimet e fundit, diplomati dhe avokati Nikolla Dimitrov thotë: “Narrativën etnike e përdorin me qëllim që të tërheqin vëmendjen e opinionit maqedonas nga strukturat autoritare të partive që ishin në pushtet”. (koha.mk)