Laura PAPRANIKU
Shkup, 3 korrik – Ka përfunduar krejtësisht regjistrimi i nxënësve për vitin shkollor 2017/2018 në vetëm pesë shkolla të mesme të vendit, kryesisht në kryeqytet dhe të drejtimeve gjimnaz, shkruan gazeta KOHA. Kjo, sigurisht ka të bëjë me faktin e njohur se shkollat elite (të vogla parasegjithash për nga numri i paraleleve), e kanë kthyer thuajse në standard mbylljen e regjistrimit të nxënësve që në paraqitjen e parë të afatit të parë të regjistrimit në shkollat e mesme. Sikurse është bërë tanimë traditë, janë plotësuar të gjitha vendet e planifikuara me Konkurs në gjimnazet “Nikolla Karev”, “Orce Nikollov”, “Rade J. Korçoagin” dhe “Gjorgji Dimitrov” në Shkup, si dhe në gjimnazin “Josip B. Tito” në Manastir. Regjistrimi, sipas të dhënave të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH), ka përfunduar thuajse në pjesën dërmuese të drejtimeve mjekësore, në disa drejtime të ekonomisë dhe në më pak drejtime të elektroteknikës dhe makinerisë, mirëpo në nivel të shkollave përkatëse regjistrimi do të vazhdojë për drejtime të tjera ku ka numër të konsiderueshëm të vendeve të lira.
Ndryshon puna në pesë gjimnazet e lartpërmendura, ku regjistrimi i nxënësve llogaritet i përfunduar krejtësisht dhe ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Në përjashtim të shkollës së mesme “Gjorgji Dimitrov”, të cilit viteve të fundit i janë shtuar paralelet e drejtimeve të pylltarisë dhe përpunimit të drurit (por, ku përsëri dominojnë paralelet gjimnaz), përcjell KOHA, gjithë shkollat tjera ku është mbyllur regjistrimi (në Shkup dhe Manastir) janë gjimnaze të pastra maqedonase dhe me numër të vogël paralelesh, nga 8 dhe 6 paralele. Konkretisht, kanë dyfish më pak paralele krahasuar me gjimnazet “Zef Lush Marku” në Shkup (16 paralele), “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë (15 paralele) apo Gjimnazi i Gostivarit (14 paralele). Përveç numrit shumë më të vogël të paraleleve, të cilat formohen në ato shkolla të drejtimeve gjimnaz, bie në sy edhe fakti se në asnjërën prej tyre nuk ka paralele me mësim në gjuhën shqipe. Përjashtim bën Shkolla e mesme “Gjorgji Dimitrov” në Shkup, por në pjesën e drejtimeve jo gjimnaz. Sipas Konkursit për regjistrimin e nxënësve për vitin shkollor 2017/2018, në këtë shkolla është lejuar formimi i 12 paraleleve, prej të cilave 11 në gjuhën maqedonase dhe 1 në gjuhën shqipe. Për mësimin në gjuhën shqipe oferta është jashtëzakonisht e varfër: 7 paralelet gjimnaz janë të gjitha në gjuhën maqedonase, kurse nga 5 paralelet e drejtimeve të pylltarisë dhe përpunimit të drurit, 4 janë në gjuhën maqedonase dhe 1 në gjuhën shqipe, edhe atë në drejtimin zdrukthëtarë. Pra, përveç se nuk ka paralele shqipe të gjimnazit në këtë shkollë, por as në drejtimet teknik për mobile dhe enterier dhe as në drejtimin teknik për pylltari dhe arkitekturë të peizazhit.
Regjistrimi i nxënësve ka përfunduar edhe për drejtimet e mjekësisë në “Pançe Karagjozov” në Shkup, si dhe në shkollat e Kumanovës, Prilepit, Strugës, Ohrit dhe Strumicës, ku ka drejtime të mjekësisë. Gjatë paraqitjes së parë të regjistrimit të nxënësve, më 28 dhe 29 qershor, në nivel shteti janë paraqitur 17.179 nxënës, prej të cilëve 12.401 për paralelet maqedonase, 4.445 paralelet shqipe, 235 paralelet turke dhe 98 përsëritës. Për shkak të mosplotësimit të kushteve apo pikëve të nevojshme jo të gjithë ata që kanë konkurruar janë pranuar. Sipas të dhënave që jepen për numrin nxënësve të regjistruar, shihet se ka një hendek të thellë mes numrit të nxënësve të paraqitur dhe nxënësve të pranuar. Konkretisht, meqë nuk kanë plotësuar kushtet rreth pesë mijë nxënës, do të duhet t’i dorëzojnë edhe një herë dokumentet në paraqitjen e dytë, pasi nxënës të pranuar në paraqitjen e parë janë 11.205 nga 17.179 që konkurruan. MASH bën të ditur se deri tani janë pranuar 8.590 në parafet maqedonase, 244 paralelet shqipe, 99 paralelet turke dhe 76 përsëritës.
Përndryshe, për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin 2017/2018 janë dhënën 35.909 vende, prej të cilave 25.127 për paralelet më mësim në gjuhën maqedonase, 9.830 në gjuhën shqipe, 918 në gjuhën turke dhe 34 në gjuhën serbe. Për paraqitjen e dytë të aftit të parë të regjistrimit, i cili do të jetë të mërkurën dhe për afatet e tjera kanë mbetur edhe shumë vende të lira, 24.529 gjithsej. Prej tyre. 16.118 janë në gjuhën maqedonase, 7.455 në gjuhën shqipe, 619 në gjuhën turke, 34 në gjuhën serbe dhe 103 vende të lira për përsëritësit.
Ndërkaq, klasën e nëntë për vitin shkollor 2016/2017, siç bën të ditur MASH, e kanë përfunduar 20.712 nxënës. Nuk jepen të dhëna për numrin sipas gjuhës në të cilën e kanë zhvilluar mësimin, por duket mirëfilli se 32 për qind e tyre kanë mbaruar shkollën fillore në gjuhën shqipe.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.