Arlinda CANAJ
Haxhi Zeka u lind më 20 dhjetor 1832 në fshatin Shoshan të Malësisë së Gjakovës, dhe u vendos herët në Pejë, e cila ato vite ishte kthyer në qëndresën antiosmane dhe kryengritjeve për liri. Mësimet e para do t’i merrte në Medrese. Por, ai nuk do shkëlqente si klerik, por në fushën e atdhetarizmit, duke vënë në shërbim të çështjes kombëtare 30 vjet të jetës së tij. Luftoi për realizimin e programit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, udhëhoqi lëvizjet antiosmane të vitit 1884-1885, organizoi Lidhjen e Pejës dhe luftoi gjatë gjithë jetës së tij derisa u vra nga dora tradhtare serbe.
Nën emrin Zejnel Efendi do të shkojë fshat më fshat e katund më katund për të përhapur idetë kombëtare dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi si dhe kërkesën e shqiptarëve për autonomi. Të gjitha idetë e tij përkonin me idetë që përçonte “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” ndaj pjesëmarrësit e këtij kuvendi të rëndësishëm do vlerësonin veprën dhe atdhetarizmin e tij duke e zgjedhur anëtar të Komitetit Qendror të Lidhjes. Së bashku me patriotë të tjerë të mëdhenj si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli do printe kryengritësit shqiptarë. Kur Porta e Lartë donte të bindte shqiptarët për të dorëzuar Plavën dhe Gucinë, Haxhi Zeka me drejtuesit e tjerë iu përgjigjën armiqve të kombit me armë. U vu në krye të gjithë kryengritësve që vëshonin nga gjithë krahinat së bashku me Jakup Ferrin, Ali Pashë Gucinë e trima të tjerë.
Në vitin 188, Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp me dhunë, dhe trojet shqiptare po rrezikoheshin më drejtpërsëdrejti. Kështu që Haxhi Zeka me Sulejman Vokshin do të udhëheqin lëvizjen antiosmane duke vazhduar të mbrojnë idetë e Lidhjes së Prizrenit.
Në vitin 1893, së bashku me Bajram Currin, organizon kryengritje në krahinat e Pejës, Gjakovës dhe vise të tjera duke kundërshtuar represionin dhe diskriminimin ekonomik të pushtuesve osmanë. Pikërisht për shkak të rrezikshmërisë së lartë ai do thirrej për armëpushim në Stamboll dhe do arrestohej deri në vitin 1896, kohë që i shërbeu për të forcuar idetë e tij politike dhe që e njohu dhe me patriotë të tjerë. Në vitin 1897, fqinjët do të bëjnë më shumë presion tek Fuqitë e Mëdha për të gllabëruar copa të majme nga Shqipëria. Në këto kushte ku rreziku ishte eminent, Haxhi Zeka bashkë me patriotë të tjerë do intensifikojnë punën për organizimin dhe bashkimin e popullsisë shqiptare. Do organizojnë kuvende dhe bisedime me banorët e shumë zonave në Kosovë, bisedime që sollën rritjen e nivelit të kryengritjes dhe do organizojë në Pejë një kuvend me 500 veta ku do propogandojnë idenë që populli i Kosovës e ka humbur besimin tek Turqia, ndaj duhej organizuar një kryengritje e armatosur në mënyrë që të arrihej autonomia.
Valiu i Shkupit, duke e pasur të qartë influencën në popull të Haxhi Zekës, i propozoi që të ndikonte për t’u shpërndarë Komitetet e Fshehta të Shqiptarëve në shkëmbim të mjaft shërbimeve që Sulltani do t’ u bënte shqiptarëve. Por Haxhi Zeka nuk mund të hynte në një kompromis të tillë të turpshëm. Ai vijoi rrugën e nderit duke qëndruar gjithmonë në krye të kryengritjes për çlirimin nga zgjedha osmane. Edhe gjatë vitit 1898, rreziku i copëtimit të territoreve shqiptare qe prezent mjaft dukshëm. Ai u bë real sidomos për territoret në Vilajetet e Kosovës e të Manastirit, për shkak të rritjes së lakmisë së fqinjëve në jug e veri të vendit, lakmi këto me theks tejet shovinist.
Tërheq vëmendjen fakti, që për herë të parë në Lëvizjen Shqiptare Antiosmane, dokumentet e miratuara nga Kuvendi i Pejës, u bënë publike në një miting të madh në sheshin e qytetit, më 29 janar 1899. Në dokumentin e thirrjes së Kuvendit të Pejës, nën titullin: ”Rruga e shpëtimit është Besa – Besë“, pos të tjerash nënvizohej: “Vilajetet e Kosovës, Manastirit, Janinës e Shkodrës, janë të gjitha një Atdhe; janë pjesë e pandarë e një trupi, formojnë vendin që thirret SHQIPËRI“. Pas këtej, në vijim Haxhi Zeka bëri kujdes, që të ngrejë organet e Lidhjes së Pejës në të gjitha Vilajetet Shqiptare, sidomos në trevat e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Ai orientoi, që të veprohej vendosmërisht si kundra Portës së Lartë, ashtu edhe kundra shteteve që synonin copëtimin e trojeve shqiptare.
Lidhja e Pejës dhe veprimtaria e saj në të pastajmen, gjithsesi është vepër e drejtpërdrejtë e Haxhi Zekës. Sami Frashëri, ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përmes veprës madhore “Shqipëria ç’ ka qenë, ç’është dhe ç’ do të bëhet ?”, botuar në mars 1899, e vlerëson Lidhjen e Pejës si një ngjarje të rëndësishme në kuadrin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. “…Lidhja e Besa…., do të jenë krei i shpëtimit të Shqipërisë…”, do të nënvizonte Samiu. Por mbetej domosdoshmëri të organizohej dhe të thirrej një Kuvend i Përgjithshëm Mbarëshqiptar me motivim konkret: të konsolidohej shtrirja e veprimtarisë së Lidhjes në gjithë territoret shqiptare; të shndërrohej ajo në një institucion të përhershëm mbarëshqiptar, dhe Lidhja të ishte organ, që të vinte themelet e Shtetit Autonom dhe Kombëtar Shqiptar.
Kërkesat e Lidhjes së Pejës, u gjykua nga drejtuesit e saj, që të formulohen në formën e një ultimatumi, që do t’i dërgohej Portës së Lartë dhe Qeverive të Fuqive të Mëdha. Si kundërpërgjigje, Stambolli reagoi menjëherë me dhunë, ç’ ka pamundësoi mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm, ashtu si vetë Lidhja e Pejës, ndërpreu veprimtarinë në vitin 1900.
Patrioti Haxhi Zeka e provoi edhe një herë pas një viti (shkurt 1901) ta rimëkëmbë Lidhjen e Pejës me kërkesat konkrete: të bashkohen të gjithë shqiptarët dhe gjuha shqipe të futet në shkolla dhe në administratë. Por në muajt maj-qershor, shpresat për rimëkëmbjen e Lidhjes, u shuan përfundimisht. Megjithatë Lidhja Shqiptare e Pejës, e ideuar, e përgatitur dhe e organizuar nga patrioti Haxhi Zeka, zuri vend denjësisht në histori me veprimtarinë e qartë e të pashuar për bashkimin kombëtar pa dallim krahine dhe feje të të gjithë shqiptarëve. Ajo shërbeu si autoritet administrues në mbarë trevat shqiptare, ashtu si shërbeu si flamur bashkimi për shqiptarët për shumë vite. Vetë inspiruesi dhe drejtuesi i Lidhjes së Pejës – Haxhi Zeka – hyri në mendjen dhe këngën e popullit si njeriu që vuri gjithçka në shërbim të kombit të vet: dijet, pasurinë, vullnetin, shpirtin luftarak dhe atdhedashës, deri edhe jetën e tij. Haxhi Zeka do ta mbyllë jetën e tij si trim. Do të vritet nga një atentat i pabesë në 20 shkurt 1902, i organizuar nga serbët. Ashtu siç do të ziheshin në pabesi gjithë trimat shqiptarë të kësaj periudhe. Ai si shumë patriotë të tjerë do të quhej nderi dhe lavdia e Kosovës. (Historia e Shqipërisë)