Pas shumë rezultateve zhgënjyese, shkarkimi i Andrea Agostinelit nga Skënderbeu duket thjesht çështje kohe. Këto janë më të rejat e fundit që vijnë nga kampi bardhekuq. Ndërkohë mësohet se drejtuesit e kampionëve kanë filluar punën për të gjetur trajnerin e ri që do të marrë drejtimin e kampionëve për pjesën e mbetur të sezonit. Sipas asaj që raporton SuperSport, emri më i përfolur është ai i Ilir Dajës. Ish-trajneri i Tiranës ka qenë edhe më parë i lidhur me Skëndërbeun, por asnjëherë nuk e mori drejtimin e kampionëve. Por jo vetëm emri i Dajës qarkullon në Korçë. Orët e fundit përmendet edhe një emër tjetër i mjaft i njohur, dhe është pikërisht Besnik Hasi. Ish trajneri i Anderlehtit dhe Legias së Varshavës aktualisht është pa skuadër, por megjithatë duket e vështirë që ai të marrë drejtimin e Skënderbeut. Megjithatë emri i tij qarkullon në ambjentin sportiv në Korçë, aty ku ndoshta Agostineli po kalon orët e fundit si trajner i kampionëve.