Shkup, 30 nëntor – Maqedonia në raport me shtetet e zhvilluara harxhon tre deri katër herë më shumë energji në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, shkruan gazeta KOHA. Analizat e Odës Ekonomike tregojnë se në Maqedoni, për ngrohje harxhohen 120 deri 150 kilovat orë për një metër katror, ndërsa në shtetet evropiane harxhohen ndërmjet 35 dhe 50 kilovat orë, edhe pse atje sezoni i ngrohjes është 270 ditë në raport me 180 ditë sa është tek ne. Amvisëritë në Maqedoni me shfrytëzimin joracional të energjisë në vit shkaktojnë një humbje prej afro 50 milionë euro që është e barabartë me prodhimin vjetor të një blloku të Termocentralit në Manastir, apo një të tretës së prodhimit të rrymës së prodhuesit kryesor të energjisë elektrike në Maqedoni. Izolimi i dobët i ndërtesave dhe banesave, shfrytëzimi joracional i energjisë elektrike dhe asaj të ngrohjes, si dhe ngecja në procesin e gazifikimit vlerësohet të jenë shkaqet kryesore se pse për çdo vjet në Maqedoni harxhohet më shumë energji në raport me shtetet perëndimore. Vlerësohet se 40 për qind e harxhimit të përgjithshëm të energjisë në shtet i takon amvisërive, që nënkupton se përmes masave të ndryshme të efikasitetit energjetik, do të kursehen edhe shuma të mëdha devizore që për çdo vjet harxhohen për importin e rrymës nga jashtë. Ekspertët e energjetikës thonë se nevojitet që qytetarët të kuptojnë… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.