Lewis Hamilton fitoi garën e Çmimit të Madh të Kinës në Formula 1, duke korrur suksesin e parë sezonal dhe barazohet me pikë me Sebastian Vettel në krye të renditjes. Piloti i Mercedes bëri një garë fantastike sot në pistën e Shangait, duke e dominuar atë nga xhiro e parë deri tek e fundit. Hamilton përfitoi nga situatat e paraqitura, nuk zhgënjeu në start dhe makina e tij u përshtat më së miri fillimisht me pistën e lagur dhe më pas me atë të thatë. Në vendin e dytë u rendit Sebastian Vettel me Ferrari, që pati një garë paksa më të komplikuar për shkak të ndalesave në bokse, por në fund arriti të rikuperojë dhe të dalë i dyti. Ndërsa në vendin më të ulët të podiumit u rendit makina Red Bull e Max Verstappen, që falë një strategjie më të mirë arritën të fitojnë vendin e tretë.
Gara nis me një pistë të lagur, por pa shi, duke e bërë mjaft kaotike startin e saj. Gjithsesi, Hamilton ruan kreun dhe po ashtu Vettel mban vendin e dytë, ndërkohë që pas pak xhirosh vjen aksidenti i Giovinazzi, që përplas makinën para bokseve. Hyn makina e sigurisë në pistë dhe pilotët bëjnë ndalesat e para për ndërrimin e gomave, me Red Bull që përfiton nga situata. Verstappen e Ricciardo përfitojnë disa pozicione dhe renditen pas Hamilton, ndërsa pas tyre vijnë dy makinat Ferrari. Por makinat “kokëkuqe” arrijnë të parakalojnë rivalët e Red Bull, ndërkohë që vuan shumë të mbajë ritmin e tyre Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes, që bën një garë anonime në pjesën e parë të saj.
Pjesa e dytë e garës nuk dhuron asnjë ndryshim në krye të garës, me Hamilton që krijon një avantazh prej 7-8 sekondash karshi Vettel, që mban vendin e dytë. Pilotët kryejnë edhe nga një ndalesë të dytë në bokse, por kjo nuk ndikon shumë në renditje. Mjaft e bukur sfida brenda familjes Red Bull mes Verstappen e Ricciardo (i katërti), që duelojnë për podiumin deri në fund. Një garë në qetësi kjo për Raikkonen e Bottas, që nuk arrijnë të bëhen protagonistë apo të duelojnë për podium. Kështu, xhirot e fundit nuk kanë shumë surpriza, me Hamilton që pret i pari vijën e finishit dhe arrin një fitore të merituar dhe tashmë me 43 pikë ndan kryesimin me Vettel. Në “top-10” u renditën sot edhe Raikkonen (Ferrari), Bottas (Mercedes), Sainz (Toro Rosso), Magnussen (Hass), Perez (Force India) dhe Ocon (Force India).
Hamilton triumfon në Kinë, Vettel i dyti, Verstappen në podium
Leave a comment