Bujar KURTAJ
Shkup, 15 nëntor – Në një atmosferë të shkëlqyer, skuadra e FC Rosengard, pjesë e së cilës është portieri shkupjan Blerim Guxhuri, ka triumfuar në betejën me FC Trollhetan në kuadër të ndeshjes së plej-ofit për plasman në Divizionin e parë. Në të dyja përballjet që i ka zhvilluara skuadra suedeze, ka dalë fitues edhe atë me rezultatin identik 2:1. Këtë lajm për KOHA e konfirmon edhe vet portieri shkupjan. “Nuk e di se çfarë të them, synimin që e kishim e realizuam. Dhe për këtë të gjithë jemi të lumtur pasi nga Divizioni i dytë (Liga e tretë), nga sezoni i ardhshëm do të luajmë në Divizionin e parë (Liga e dytë). Fillimisht kemi luajtur në plej-of në grupe, dhe pasi e fituam grupin në plej-of u përballëm me skuadrën e FC Trollnetan. Një skuadër që ka luajtur në një rang më të lartë se ne dhe para ndeshjes ishin favorit. Por , ja që epiteti i favoritit mbeti vetëm në letër, ndërsa ne ata i mposhtëm në dy herë, brenda dhe jashtë edhe atë me rezultatin identik 2:1. Sigurisht se ka qenë rëndë, por me një lojë kolektive, ia arritëm qëllimit”, thotë për KOHA, Guxhufi, i cili pesë vite ka që e mban fanellën e kësaj skuadre.
Ndryshe, Guxhufi shprehet i kënaqur me paraqitjet e tij në këto dy përballje. “Jam shumë i kënaqur me këtë sukses dhe njëkohësisht me paraqitjet e mia. Në të dyja përballjet pranova vetëm dy gola, dhe kontributi im sigurisht se është i madh. Këtë e thonë edhe në klub dhe kjo më bën krenar”, vazhdon më tej numri një i skuadrës suedeze. Derisa, me këtë skuadër Blerimi ka kontratë deri më 30 nëntor. “Më 30 nëntor më skadon kontrata me skuadrën e FC Rosengard. Sinqerisht ende nuk kam vendosur se do të qëndroj apo do të ndryshoj mjedisin. Mund të them vetëm se janë disa ekipe që kanë shprehur interesim, por ende asgjë konkretisht nuk ka. Dua që tani ti përkushtohem familjes dhe kur të vjen momenti i duhur, do të vendos për të ardhmen”, përfundoi Blerim Guxhufi, ish-portieri i Shkupit, Shkëndijës dhe disa klubeve tjera.