Në miqësoren e luajtur mes Italisë dhe Gjermanisë futbollisti më i mirë në fushën e lojës ishte Ilkay Gungogan. Në Gjermani kanë filluar ta thërrasin “Dünn-dogan”. Pikërisht kështu, sepse Iklay është më i dobët se kurrë dhe në gjermanisht ky është kuptimi i fjalës “dunn” , i dobësuar. Futbollisti nuk ka qenë kurrë në të tillë formë, si tani që ka humbur peshë dhe kjo është meritë e trajnerit të Manchester City, Pep Guardiola. Pesë gola në 11 ndeshje, asnjëherë gjermani nuk e kishte nisur kaq mirë kampionatin. Pas disa viteve delikate, në të cilat shpesh është penguar nga problemet fizike, Ilkay më në fund ka arritur një formë të shkëlqyer që e lejon të bëj ato që di në fushën e lojës. Paraqitjet e mira kanë ndjekur njëra-tjetrin. “Kam humbur shumë kile me Guardiolën si trajner, – tha Gundogan për gazetën “Bild”. – Ma shpjegoi përse ishte thelbësore që të kisha një peshë të caktuar.” Te City, që kur ka ardhur Pep Guardiola, gjithçka është e studiuar edhe në detajet më të vogla. “Kemi dy specialistë të ushqimit që merren me ne. Pastaj kemi tre kuzhinierë në dispozicion që na e sjellin ushqimin edhe në shtëpi nëse duam. Më mungojnë disa nga ushqimet që haja në Gjermani. Më mungon shija e çokollatës dhe akullores, por rezistoj dhe po shpërblehem në fushën e lojës. Kam të drejtë të ha vetëm një picë në javë dhe tani pi vetëm ujë,” – pohoi Gundogan. Megjithatë, i pyetur se cili është trajneri më i aftë që e ka ndihmuar të jap maksimumin, mes Guardiola dhe Klopp nuk di të zgjedh. “Me Klopp shkëlqeva në ekip të parë, fitova kampionatin dhe kupën në një sezon dhe më pas arrita deri në finalen e Champions League. Tani e kam kundërshtar për titullin në Angli. Kur shoh duke luajtur Liverpool më kujtohet Dortmund ku isha unë. Megjithatë mendoj se jam në formën më të mirë të karrierës dhe patjetër që për këtë më duhet të falënderoj trajnerin Guardiola.”