Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, para mbështetësve të partisë së tij të cilët protestojnë para ndërtesës së Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) duke kërkuar që ky komision të shpall rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, deklaroi se “institucionet të respektojnë vullnetin e popullit dhe të punojnë sipas ligjit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gruevski në fjalimin e tij para qytetarëve theksoi se pak më parë Komiteti ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së zhvilloi një takim në të cilin u dakorduan të informojnë siç tha ai, “të gjithë ata që sytë i kanë në mbrojtjen e demokracisë së Maqedonisë.”
Ai duke e quajtur punën e KSHZ-së si parodi, theksoi se ky institucion ka miratuar vendime të paligjshme me anë të të cilave, sipas tij, kanë keqpërdorur vullnetin zgjedhor të popullit. Ai shtoi se ka informacione për ndërhyrje nga ana e disa zyrtarëve të huaj të cilët, sipas tij, kanë ushtruar ndikim në disa prej anëtarëve të KSHZ-së, në mënyrë që të falsifikojnë vullnetin zgjedhor të qytetarëve të vendit.
“Apelojmë që mos të kryhet presion ndaj Gjykatës Administrative nga askush. Nëse edhe Gjykata Kushtetuese dorëzohet nga ndikime anësore dhe i konfirmon vendimet e KSHZ-së, me të cilën i merret fitorja e VMRO-DPMNE-së dhe falsifikohet, VMRO-DPMNE njofton se nuk do të marrë pjesë në përsëritjen e votimit dhe nuk do të pranojë rezultatet nga kjo përsëritje”, deklaroi Gruevski.
Gruevski porositi se nuk do të lejojë që lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, të formojë qeverinë e re, siç tha ai, me falsifikimin e vullnetit të popullit të Maqedonisë. Ai shtoi se partia që drejton ai, nuk do të lejojë funksionimin e institucioneve me vullnetin e falsifikuar të qytetarëve dhe funksionimin e institucioneve që nuk kanë legjitimitet të qytetarëve të Maqedonisë.
Gruevski në vijim deklaroi se nuk do të lejojë që të përzihen ambasadorët në politikën e brendshme të vendit, si dhe kërkoi siç tha ai, të sillen si diplomatë.
“Shteti patjetër duhet që në mënyrë sovrane të ndërmarrë vendime. Disa ambasadorë filluan të përzihen në politikën e brendshme të vendit. Ajo duhet të ndalet. Ne mbetemi të hapur për komunikim me ambasadorët dhe përfaqësuesit e vendeve tjera, por disa të cilët kanë filluar të ngatërrohen në politikat tona të brendshme patjetër duhet të ndalojnë me atë”, deklaroi Gruevski.
Gruevski theksoi se në të ardhmen nuk do të pranojë zgjidhjet jo-standarde ose hibride në çfarë do qoftë sektori, nëse të njëjtat nuk janë të pranishme në vendet tjera evropiane. Ai theksoi se nuk do të pranojë edhe kantonizimin dhe ridefinimin e shtetit në çfarë do qoftë rrethane.
Lideri i VMRO-DPMNE-së porositi se do të luftojnë de-sorosizimin dhe në përforcimin e shoqërisë civile, i cili nuk do të jetë nën ndikimin e dikujt.
“VMRO-DPMNE, edhe historikisht, edhe në të tashmen, por edhe në të ardhmen, ka qenë dhe do të jetë partia pro-perëndimore. Orientimi ynë është anëtarësimi në NATO dhe BE dhe në marrëdhëniet strategjike me SHBA-të. Vlera themelore e NATO-s, BE-së dhe SHBA-ve është demokracia dhe ky njoftim është shpallje për mbrojtjen e demokracisë në Maqedoni”, deklaroi Gruevski, para të qytetarëve që protestojnë para KSHZ-së.
Ndryshe, pas shpalljes së rezultateve zgjedhore, te ky institucion u parashtruan 16 ankimime, prej të cilave tetë nga Lëvizja BESA dhe tetë nga koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja. KSHZ shqyrtimin e ankimimeve e filloi që nga dita e enjte, ndërkohë gjatë tërë kohës së punës të këtij institucioni, mbështetës të VMRO-DPMNE-së vazhdimisht protestonin para ndërtesës ku ndodhet selia e KSHZ-së.
Seanca për shqyrtimin e ankimimit të fundit të LSDM-së filloi mbrëmë, por për shkak se në sallën ku debatohej dëgjoheshin zhurma nga mjetet piroteknike, që përdoreshin nga mbështetësit e VMRO-DPMNE-së, seanca u shty për ditën e sotme.
Protestuesit para ndërtesës së KSHZ-së kërkojnë që ky komision sa më parë të pranojë fitoren e VMRO-DPMNE-së dhe sipas tyre të parandalojnë marrjen e vullnetit të shumicës së qytetarëve.
Pati raste edhe kur sulmohej ndërtesa me mjete piroteknike dhe sende të tjera, ndërkohë mbaheshin edhe fjalime të ish-funksionarëve dhe funksionarëve aktual të VMRO-DPMNE-së, sipas të cilëve me ndryshimin e rezultateve zgjedhore synohet prishja e rendit në Maqedoni.