Kryetari i Komisionit parlamentar për çështje evropiane, Artan Grubi, ka pritur sot në Kuvend ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar. Grubi dhe ambasadori Zhbogar biseduan për sfidat reformuese të Maqedonisë në përputhje me pritshmëritë e Brukselit, BE dhe NATO, sfidat e Komisionit për Çështje Evropiane në lidhje me dinamikën ambicioze të agjendës së re reformuese bashkë me përkushtimin integrues te vendit në NATO dhe BE. Deputeti Grubi njoftoi ambasadorin Zhbogar për prioritetet e Komisionit të cilin ai e drejton në Kuvend e që përfshijnë gjithashtu edhe debate të shumta publike për të gjitha çështjet reformuese me përfshirjen e të gjithë deputetëve, shoqërisë civile, mediave, komunitetit ndërkombëtar. Grubi u shfaq i përkushtuar që bashkë me deputetet e tjerë dhe shoqërinë civile të mban të përgjegjshme Qeverinë dhe palët përgjegjëse për zbatimin e përpiktë të reformave. Sundimi i së drejtës, barazia qytetare në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, integrimi i menjëhershëm EuroAtlantik si dhe mirëqenia shoqërore janë kryefjalë e kësaj shumice të re reformuese. Ai theksoi që është në pritje të Udhërëfyesit të miratuar nga Qeveria si dhe nënvizoi nevojën e miratimit të një Rezolute gjithëpërfshirëse nga ana e Kuvendit në përkrahje të reformave dhe integrimit në Bashkimin Evropian.