Një video e përgatitur nga ushtria greke pak ditë më parë iu është shpërndarë edhe mediave të vendit fqinj ku dëgjohen qartësisht urdhrat për goditjen e “objektivave”. Mësohet se bëhet fjalë pikërisht për stërvitjen e Brigadës së 8-të sulmuese të ushtrisë greke, në përbërje të së cilës janë efektivët më elitarë të këmbësorisë. Për këtë stërvitje ushtarake bie në sy fakti se pothuajse në të gjitha mediat greke, është publikuar pothuajse i njëjti tekst njoftimi, që ndonëse nuk përmend në asnjë rresht Shqipërinë, nënkupton qartë një paralajmërim serioz që Athina zyrtare ka vendosur t’i bëjë Tiranës. “Video na kujton se në çdo drejtim ushtria jonë është e pranishme në të gjithë territorin e Greqisë. Edhe aty ku nuk ka asnjë problem të madh ushtarak, sepse nuk ka asnjë armik, por ka shumë udhëheqës sfiduese dhe miq të afërt me Ankaranë. Greqia nuk ka nevojë për të bërë një përballje ushtarake me asnjë. Por ata që e interpretojnë durimin e Greqisë si një dobësi, është e këshillueshme që të ‘pushojnë’ retorikën e tyre kundër Greqisë”, citohet nga mediat greke, shkruan BW. Megjithatë duhet përmendur se situata mes Greqisë dhe Shqipërisë nuk është në pikën më të mirë. Ka pasur një tensionim të dyanshëm pas shkëmbimit të deklaratave zyrtare nga të dyja vendet. Rreth një muaj më parë ishte kreu i diplomacisë greke, Niko Kotzias, ai që paralajmëroi Shqipërinë të tregojë kujdes me çështjen çame, duke i kujtuar asaj se nuk mund ta nënvlerësojë Greqinë, për shkak të krizës që ajo po kalon. Deklaratat e drejtpërdrejta të ministrit të Jashtëm të Greqisë u bënë në një intervistë në median greke, ku ndër të tjera Kotzias nuk harroi të përmendë edhe epërsinë ushtarake të Greqisë ndonëse me Shqipërinë është aleate në NATO. “Greqia ia kalon në të gjitha drejtimet. Ka dhjetëfishin e GDPsë, sisteme të shumëfishta mbrojtjeje dhe sigurie, shumëfish forcë ekonomike. Ata janë të varur sa i përket ekonomisë, remitancave të emigrantëve, investimeve, tregtisë. Kemi edhe përfaqësim asimetrik në arenën ndërkombëtare. Ndaj është mirë që të bashkëpunojnë, të bëhen realistë dhe të ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve të përfitimit të përbashkët. Të zgjidhim çështjet e hapura bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe traditën evropiane”, paralajmëroi Koztias. Pikërisht këto deklarata i paraprinë edhe stërvitjes së Brigadës së 8të të këmbësorisë që Greqia sapo ka nisur në kufirin me Shqipërinë, duke i dëshmuar edhe nga afër epërsinë ushtarake. Kujtojmë se pak ditë më parë në pikën kufitare të Kakavijës, pala greke ka kthyer mbi 100 shqiptarë, mes tyre gra, fëmijë e të moshuar. Argumenti i përdorur ka qenë mungesa e dokumenteve dhe fakti i mosdisponimit të një shume prej minimum 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen.