Tetovë, 9 dhjetor – Pas pothuaj 5 viteve i vjen fundi odiseadës me objektin e ri të shkollës fillore “7 Marsi” në fshatin Çellopek të Komunës së Bërvenicës, shkruan gazeta KOHA. Pas përfundimit të objektit, tashmë janë duke u kryer punët në brendi rreth inventarit dhe rregullimit të hapësirave. Sipas kryetarit të Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti, në gjysmëvjetorin e dytë në këtë shkollë do të fillojë mësimi. “Shpresojmë se në pjesën e dytë të vitit shkollorë 2016/17 në këtë shkollë do të fillojë mësimi në objektin e ri. Aktualisht janë duke u bërë përgatitjet apo zhvillohen punimet në brendi të objektit pasi që përfunduan punët për ndërtimin e objektit në fazën karabina. Mendoj dhe jam optimist se gjithçka do të shkojë në rregull dhe punët do të kryhen në afatin e paraparë dhe nxënësit do të ulen në objektin e ri të shkollës në gjysmëvjetorin e dytë”, deklaroi për gazetën KOHA, Enver Pajazit. Nga kjo komunë bëjnë të ditur se mjetet janë siguruar nga Komuna dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës. “Siç dihet, kjo shkollë duhej të ndërtohej me mjete të Qeverisë së Italisë, por për shkak të krizës ekonomike, Qeveria e Italisë i ndërpreu të gjitha donacionet në botë dhe më pas punët për ndërtimin e shkollës janë financuar nga ana e Komunës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Pra, nëse nuk gaboj, financimi ka qenë gjysmë për gjysmë me Ministrinë e Arsimit dhe tash besojmë se ky projekt i rëndësishëm do të përfundojë më në fund që të kemi një shkollë të re për këta nxënës”, tha Pajaziti…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.