Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 maj – Në kohën kur Maqedonia renditet në mesin e shtete me shkallën më të lartë të papunësisë në rajon dhe kur prej vitesh ballafaqohet me mungesa të shumta të kuadrove që i nevojiten tregut të punës, s’ka dyshim se tani e një kohë të gjatë nuk funksionon si duhet menaxhimi i sfidave për orientimin e kuadrove në përputhshmëri me aftësitë e tyre dhe vendeve që i nevojiten tregut të punës, shkruan gazeta KOHA. Madje, sipas akademik Izet Zeqirit, gati gjysma e të rinjve në Maqedoni zgjedhin profesionin e gabuar, kurse gjysma tjetër nuk e dinë nëse kanë zgjedhur profesionin e duhur ose jo.
Vetëm 7.2 për qind e të anketuarve që morën pjesë në një hulumtim që Fondacioni Friderih Ebert, të realizuar në vitin 2016, thonë se kanë zgjedhur profesionin e përkryer për ta, tregon Zeqiri, duke shtuar se dilemat e të rinjve për profesionin e zgjedhur janë të shumta. “Ky hulumtim tregon se është shumë e lartë shkalla e të rinjve që mendojë se kanë zgjedhur profesionin e gabuar si dhe atyre që nuk janë të sigurt nëse kanë bërë zgjedhjen e duhur”, plotëson ia. Më konkretisht, sqaron ai, 46.5 për qind e të rinjve, kanë thënë se kanë gabuar në zgjedhjen e profesionit të tyre, respektivisht se e kanë gabuar plotësisht profesionin për të cilin kanë studiuar. Çdo herë në kuadër të përgjigjes “e kam gabuar tërësisht profesionin”, Zeqri tregon se 30.3 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk është aspak për ta profesioni për të cilin kanë studiuar, 4.2 për qind se ai profesion nuk është aktual në tregun e punës, 4.9 për qind se kanë krejtësisht aftësi të tjera nga ato që kërkon profesioni, për të cilin kanë studiuar dhe vetëm 7.2 për qind thonë se kanë profesionin e përkryer për ta”. Ndërkaq, 53.5 për qind e të rinjve kanë deklaruar se nuk dinë nëse kanë zgjedhur profesionin e duhur, plotëson akademik Zeqiri.
Profesor Rufi Osmani, që sikurse pohoi edhe vetë ai, ka ndërruar 10 profesione deri tani, u apelon të rinjve që të synojë majat më të larta, në cilido profesion që do të zgjedhin të studiojnë. “Ka kaluar koha kur nevojitej të kesh vetëm një diplomë, e cilido nivel qoftë ajo për të zënë një vend pune. Sot, diplomat janë vetëm certifikatë që të japin mundësinë e konkurrimit për një vend pune. Por, nëse nuk mësoni në mënyrë permanente, nuk zhvilloheni profesionalisht dhe nuk specializoheni, pra nuk ecni në hap me kohën edhe pritjet për vendet e punës duhet t’i keni minimale”, u shpreh Osmani.
Oferta për studime në Maqedoni është shumë e bollshme, nisur nga fakti se ka 18 institucione të arsimit të lartë prej të cilëve 5 me karakter publik dhe 13 privat. Në total janë 125 fakultete dhe rreth 1300 programe studimore. Mirëpo, çështja kruciale është të orientuarit në ato programe studimore që ofrojnë perspektivë punësimi dhe që korrespondojnë me aftësitë individuale të secilit. Universitetet, sikurse nënvizoi profesor Gadaf Bexheti, “janë jo vetëm për të dhënë dije, por edhe për nxitur vetëdije”. Në këtë frymë, thotë se është ndërtuar edhe misioni i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, ku edhe u organizua të enjten tryeza e rrumbullakët në temën “Arsimi sipëror dhe tregu i punës – menaxhimi i sfidave të përbashkëta”. Kjo tryezë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shkollave të mesme të Shkupit, u realizua me iniciativë të Klubit të liderëve të ardhshëm të biznesit, që vepron në kuadër të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë në UEJL.
Klubi në fjalë ka mbledh rreth vetes studentë, profesorë, por edhe ish-studentë të këtij fakulteti e që sot gjenden në top-menaxhmentin e ndërmarrjeve, kompanive dhe bankave të ndryshme që veprojnë në Maqedoni. Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë në UEJL, është gjithashtu njëri ndër më të suksesshmit e këtij universiteti sa i takon shkallës së punësimit të atyre që kryejnë studimet këtu. Madje, 28 për qind e studentëve të këtij fakulteti arrijnë të punësohen ende pa diplomuar, 48 për qind punësohen në periudhën deri një vit nga data e diplomimit, kurse sa i takon institucionit të punësimit 87 për qind e studentëve të këtij fakulteti i absorbon tregu privat i punës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara