Omer XHAFERI
Shkup, 24 janar – Prokuroria Speciale Publike nuk ka nevojë që të kërkojë deklasifikimin e dëshmive të propozuara në rastin “Fortesa 2”, por avokatët janë ata që duhet të pajisen me certifikata të sigurisë për shqyrtimin e provave të kontestuar nga vetë ata, shkruan gazeta KOHA. Me këtë konstatim kanë dalë nga Organizata jo qeveritare “Të gjithë për gjykim të drejtë”, e cila në analizën juridike të dispozitave të Ligjit për informacione të klasifikuara(LIK) dhe punës së Gjykatës Penale të Shkupit, thotë se kjo e fundit ka vendosur praktikë të re në gjykimin e rasteve me procedurë të shkurtë.
“Zbatimi i praktikës së re nga ana e gjykatës, kur bëhet fjalë për seanca ‘përgatitore’ me procedurë të shkurtë, krahas faktit se u zbatua në rastin ‘Fortesa’, e njëjta u zgjerua me detyrimin e organeve gjyqësore të shtetit, në këtë rast PSP, e cila përmes shkresave duhet të drejtohet tek organet tjera shtetërore, siç është Drejtoria për Zbulimi dhe Kundërzbulim, me qëllim ndërmarrjen e veprimeve që nuk janë paraparë në ligj”, thuhet në analizën e fundit të Koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”. Njëherit, klasifikimi i informacioneve dhe prezantimi tyre para gjykatës, sipas Ligjit për procedurë penale, aspak nuk është kontestues, derisa të gjithë pjesëmarrësit në këtë procedurë janë të pajisur me certifikata të sigurisë, respektivisht të njëjtit e kishin pranuar përmbajtjen e këtyre informacione. Lidhur më këtë çështje, në analizë sqarohet se certifikata ndahet me një shkallë të caktuar të klasifikimit të informacioneve, edhe atë pas dorëzimit të kërkesës me shkrim që dorëzohet në DSK, nga një person juridik apo fizik, e cila para se t’i ndahet, i nënshtrohet një kontrolli të sigurisë.
“Pika kontestuese për momentin është se përveç paraqitjes së avokates së re në procedurë, e cila nuk ka të siguruar certifikatë të sigurisë, gjykata edhe më tej e ka obliguar PSP, që të kërkoj nga DSK, deklasifikimin e provave”, thuhet mes tjerash në këtë analizë juridik, e përgatitur enkas për rastin “Fortesa 2”. Neni 16 i LIK-ut, parasheh se një informacion i klasifikuar ndërpritet në disa raste të numëruara taksative, siç është me përcaktimin e datës në dokument, me ndodhjen e ndonjë rasti të theksuar në atë dokument, me tejkalimin e afatit kohor të shënuar në dokument dhe me deklasifikimin. Megjithatë në këtë analizë, nënvizohet se deklasfikimi si mekanizëm i parapara në këtë ligj shkon deri në atë shkallë që është paraparë se me të njëjtën mund të bëhet ndryshim i informacion të klasifikuar në informacion me qasje të lirë (publik), që është paraparë në neni 17 të ligjit në fjalë, gjegjësisht këtë veprim e realizon hartuesi i informacionit, me çka i njofton shfrytëzuesit e këtyre të dhënave për punën e bërë. Përcaktimi i kufizuar i këtyre dispozitave ligjore, sipas Organizatës “Të gjithë për gjykim të lirë”, nuk jep mundësi të lirë të interpretimit të ligjit, aq më pak Prokuroria Speciale apo dikush tjetër të kërkoj nga DSK-ja realizimin e deklasifikimit të të dhënave, që do të ishin përdorur në procedurë gjyqësore. Në këtë analizë potencohet se intenca e pushtetit ligjvënës gjatë miratimit të këtij ligjit ka qenë që vetë Drejtorisë, t’i jepet mundësia që ajo të vendos se kur dhe për çka të ketë nevojë ajo të bën një veprim të tillë (deklasifikimin e informacioneve).
”Me të vërtet nuk është i qartë angazhimi i gjykatës, që kërkon nga PSP të bëjë deklasifikimin e të dhënave, kur e njëjta mund t’i detyrojë të gjithë avokatët në procedurë, përfshi edhe ata më të rinjtë që të sigurojnë certifikata të sigurisë, me çka do të kishin filluar me mbrojtjen e klientëve të tyre. Në këtë mënyrë do të ishte parandaluar prolongimi i seancave për “shqyrtimin e dëshmive”, gjegjësisht seancave “përgatitore”, të cilat edhe ashtu dispozitat ligjore kur bëhet fjalë për procedura të shkurta nuk e parashohin”, thuhet në analizën juridike.
Ndryshe, në këtë analizë është përfshi edhe përjashtimi i mediave nga seanca gjyqësore, me pretekst të mungesës së certifikatave të sigurisë, duke e arsyetuar me ndjeshmërinë e shkresave që do të publikohen e që burojnë nga materialet e përgjimeve të jashtëligjshme. Ndaj këtij vendimi të gjykatës, në analizë parashtrohet teza se si mund opinioni të largohet nga seanca gjyqësorë, në kohë kur një avokate mbrojtëse nuk posedon një dokument të tille, duke pasur parasysh se informacionet e klasifikuara janë të klasifikuara për të “gjithë”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.