Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut ka thënë sot se Rusia ka dështuar që të ndërmerrte masa për ta parandaluar masakrën në shkollën e qytetit Beslan në vitin 2004, ku u vranë më shumë se 330 persona. Gjykata, po ashtu, e ka kritikuar Moskën për mënyrën se si e ka hetuar rastin, transmeton BBC. Në këtë rrethim separatistët çeçen morën peng më shumë se 1.000 persona, shumica e të cilëve ishin fëmijë. Rrethimi mori fund kur forcat ruse të sigurisë u futen në shkollë. Të mbijetuarit thonë se trupat ruse përdorën forcë të tepruar. Asnjë zyrtar rus nuk është mbajtur përgjegjës për numrin e lartë të të vdekurve, që përfshiu 186 fëmijë. Por Kremlini i ka quajtur si absolutisht të papranueshme konkludimet e Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, se Rusia ka bërë “lëshime serioze” në ndërmarrjen e masave për parandalimin e masakrës në shkollën në Beslan më 2004, kur më shumë se 330 njerëz kishin humbur jetën, përfshirë edhe 186 fëmijë. “Për ne është e papranueshme që të pajtohemi me një formulim të tillë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.