Laura PAPRANIKU
Shkup, 12 qershor – Ndarja e nxënësve për lëndët e provimeve të Maturës Shtetërore, vazhdon të jetë e thellë në favor të gjuhëve të huaja. Këtë e ka dëshmuar edhe numri i lartë i maturantëve të këtij viti, që të shtunën (10 qershor) iu nënshkruan provimeve nga anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja dhe rusishtja si lëndë të dyta të provimeve të Maturës Shtetërore 2017, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave për numrin e kandidatëve që kishin paraqitur të japin këto provime në afatin e qershorit, pjesa dërmuese e maturantëve në zgjedhjen mes matematikës ose gjuhës së huaj, janë përcaktuar për këtë të dytën. Njëjtë si viteve të kaluara, epërsia e gjuhëve të huaja në provimet e maturës shtetërore edhe sivjet është e madhe – edhe atë më tepër se 88 për qind. Provimet e para, siç dihet, janë ato të gjuhës amtare, respektivisht gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, pra në lëndët e maqedonishtes, shqipes dhe turqishtes të cilat u zhvilluan më 27 maj. Ndërkaq, për provimet e dyta – ku maturantët duhet të zgjedhin ose matematikën ose gjuhën e huaj (të cilën e kanë mësuar përgjatë gjithë shkollimit të mesëm) nga 17.603 kandidatë, 15.533 ishin për provimet e gjuhëve të huaja, kryesisht në gjuhën angleze (15.201). Pra, 88.2 për qind e numrit të provimeve të dytë janë për gjuhën e huaj, ndërsa vetëm 11.8 për qind ose 2070 kandidatë për lëndën e matematikës. Nxënësit që janë përcaktuar për matematikën si lëndë e dytë e Maturës Shtetërore, do t’ju nënshtrohen provimeve sot (e hënë) me fillim në ora 10. Anglishtja ka qenë gjithashtu ajo që bën diferencën edhe brenda llojit të lëndëve të gjuhëve të huaja, pasi gjuhët tjera si frëngjishtja , gjermanishtja dhe rusishtja, e të cilat u zhvilluan po ashtu të shtunën (më 10 qershor) kishin numër të vogël kandidatësh, respektivisht 108, 197 dhe 26 kandidatë. Pra, në kuadër të provimeve të dyta – anglishtja përfaqësohet me 97.9 për qind të provimeve të gjuhëve të huaja, ndërsa përqindjet e gjuhëve tjera janë simbolike. Një prej arsyeve kryesore me të cilat në shkollë e shpjegojnë situatën e ndarjes kaq të thellë të nxënësve – është tendenca e të rinjve për tu familjarizuar më tepër me gjuhën angleze dhe si element i përbashkët shtytës për të gjithë mënyrat për të shmangur matematikën si lëndë e dytë e provimit të Maturës Shtetërore. Nuk është pa dallime as ndarja në këtë pikë e maturantëve sipas gjuhës në cilën e zhvillojnë mësimin. Shqiptarët, respektivisht nxënësit që kanë zviluar mësimin në gjuhën shqipe, kanë zgjedhur anglishten në përqindje dukshme më të madhe se sa maqedonasit, apo ata që kanë mësuar në gjuhën maqedonase. Kështu, përcjell KOHA, nga 5120 sa është numri i atyre që kanë dhënë provimet e para në gjuhën shqipe, në provimet e dyta – 5112 nxënës ose 99.8 e tyre ishin në provimet e gjuhës angleze. Përqindja e nxënësve që kanë mësuar në gjuhën maqedonase në provimet e anglishtes është 91.1 për qind (9683 nxënës nga 10.632 gjithsej), ndërsa te nxënësit që kanë mësuar në gjuhën turke – 97.6 për qind (406 nxënës nga 416 gjithsej). Provimet e treta që maturantët duhet ti zgjedhin mes lëndëve nga biologjia, kimia, fizika, historia, biznesi, filozofia dhe estetika do të mbahen më 14 qershor, me fillim në ora 10. Njëlloj si në provimet e dyta, edhe këtu nuk ka një vijë ndarëse të thellë në përcaktimin e nxënësve sa u takon lëndëve nga fizika dhe kimia dhe lëndëve tjera. Vetëm 282 nxënës kanë zgjedhur kiminë dhe 119 fizikën, për dallim prej 4298 që kanë zgjedhur lëndën e biznesit, 3684 filozofinë, 3445 biologjinë apo 2900 historinë. Estetikën e kanë zgjedhur 193 maturantë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara