“Futbolli është një lojë e thjeshtë: 22 burra ndjekin një top për 90 minuta dhe në fund fiton Gjermania”. Me këtë frazë të famshme, Gary Lineker, sulmues anglez në vitet ’80-’90, ka përshkruar në mënyrën më perfekte futbollin gjerman. Një shprehje që është e vlefshme për të kaluarën, por edhe për shekujt e ardhshëm. Në të vërtetë, ndërsa Gary analizonte në rolin e komentatorit sportiv të gjitha evenimentet ndërkombëtare ku kanë marrë pjesë gjermanët, atij i ka shpëtuar një detaj i veçantë: gjermanët, deri në 2010-ën, mund të përshkruheshin si humbës të suksesshëm, duke parë se në shtatë finale të luajtura në Botëror kishin arritur të fitonin vetëm 3, ashtu siç kanë qenë tri humbjet e pësuara në gjashtë finale të Europianit. Me pak fjalë, nëse Juventus do të ishte një kombëtare, do të ishte Gjermania.
Por Lineker ka bërë një parashikim të madh me atë shprehje: nga 2006, viti i eliminimit djegës të pësuar në gjysmëfinalet e Botërorit të luajtur në shtëpi kundër Italisë, diçka ka ndryshuar në mentalitetin e Federatës Gjermanë të Futbollit dhe, pas disa vitesh punë të pandalshme, “Die Mannschaft” është kthyer të jetë një armatë e pandalshme. Në 2014-ën ka ardhur fitorja legjendare 7-1 e arritur në Botërorin e 2014-ës kundër Brazilit, e pasuar nga triumfi në finale kundër Argjentinës. Në Euro 2016-të është bërë një hap mbrapa me humbjen e pësuar në gjysmëfinale kundër Francës, por tani ka ardhur “dopieta” e mrekullueshme, me kombëtaren Under 21 që ka fituar Europianin e kësaj kategorie, duke mundur në finale pikërisht Spanjën, rivalja numër një e gjermanëve për sa i takon dominimit në futbollin europian, ndërsa kombëtarja e Low (mund të konsiderohet kombëtarja U-22) ka fituar edicionin e dhjetë të Kupës së Konfederatave, duke mundur në finale Kilin e Alexis Sanchez dhe Arturo Vidal.
Cilësia e Gjermanisë, ndryshe nga Spanja që bazohet më shumë te teknika e lojtarëve, është shpirti i grupit: shumë lojtarë, ndoshta më pak të aftë teknikisht se kolegët spanjollë, por gjithsesi me cilësi të tjera, të cilët integrohen në mënyrë perfekte brenda një projekti që favorizon grupin para individit. Pikërisht për këtë arsye ata shihen gjithmonë si skuadra favorite për të fituar çdo kompeticion në të cilin marrin pjesë. Nëse futbolli kthehet në një industri ose në një çështje biznesi, atëherë Gjermania bëhet e pathyeshme: këto janë bazat e Rajhut të katërt, një fjalë që do të thotë “mbretëri’, por që përdoret më shpesh me kuptimin “perandori”. Low i ka lënë Kuntz një pjesë të kombëtares Under 21, sepse disa lojtarë e kishin të domosdoshme të shijonin ajrin e Rusisë dhe të atij Botërori që do të zhvillohet pas një viti në ish-tokën sovjetike.
Trajneri i të rinjve ka arritur gjithsesi të fitojë Europianin Under 21, ndoshta duke mos bindur kundër Çekisë, Italisë dhe Anglisë, por duke arritur të përmbajë Spanjën, e cila shikohej nga të gjithë si modeli që duhej ndjekur për t’u kthyer te suksesi në futbollin ndërkombëtar. Më pas Low ka kompletuar kryeveprën, duke pasur në dispozicion një skuadër të mbushur me lojtarë të rinj dhe futbollistë që duhej të tregonin se ishin në gjendje të fitonin në trofe jo shumë prestigjioz, por gjithsesi të rëndësishëm për shkak të kundërshtarëve që kanë lënë mbrapa, si Meksika, Portugalia dhe Kili. Botërori po afron dhe Gjermania do të jetë, si gjithmonë, favorite për të mbrojtur titullin e kampiones së botës. Trajneri do të duhet të tregohet i aftë në përzgjedhjen e lojtarëve më të mirë dhe t’i udhëheqë ata drejt triumfit, edhe pse të pasurit e shumë alternativave në dispozicion mund të jetë një avantazh, por edhe një rrezik. Megjithatë, siç e di gjithë bota, gjermanët nuk i lënë kurrë asgjë rastësisë. Ata janë gjithmonë të organizuar dhe gati për sfidën e radhës. Në 20 vite kanë arritur të reformojnë një sistem të sëmurë si ai i Bundesliga-s, duke rigjallëruar ekipet e moshave duke kuptuar se rinia dhe kultura e shumëllojshme janë faktorë thelbësor në prodhimin e një futbollisti të shkëlqyer. Rezultatet? Pesë kombëtare, gati që tani. Ja cilat janë, të rreshtuara nga portieri te sulmuesi, me skemën 4-2-3-1:
Neuer, Kimmich, Hummels, Boateng, Hector, Kroos, Khedira, Muller, Ozil, Reus, Gomez. Ter Stegen, Schmelzer, Mustafi, Rudiger, Henrichs, Weigl, Gundogan, Draxler, Gotze, Sane, Werner. Trapp, Plattenhardt, Sule, Howedes, Toljan, Can, Dahoud, Gnabry, Goretzka, Brandt, Stindl. Leno, Halstenburg, Tah, Ginter, Weiser, Demme, Rudy, Volland, Meyer, Schurrl, Wagner. Pollersbeck, Gerhardt, Kempf, Stark, Passlack, Arnold, Demirbay, Amiri, Havertz, Philipp, Selke. Nuk ka shumë për të thënë: futbolli gjerman është gjithmonë më i miri, i aftë të kombinojë teknikë, taktikë dhe cinizëm. Spanja duhet të presë.