Shefi i shërbimit të antikave egjiptiane, Mahmud Afifi, tha sot se ekipi arkeologjik ka zbuluar mbetjet e një piramide rreth 3,700 vjeçare, nga dinastia e 13-të e faraonëve. Afifi tha se mbetjet u gjetën në veri të “Piramidës së lakuar” të mbretit Sneferu, tek nekropoli mbretëror Dasur në jug të Kajros. Këtu janë varrosur oborrtarët dhe zyrtarë e tjerë të lartë të qeverisë. Drejtor i Departamentit, i cili kujdeset për nekropolin, Adel Okasha, ka thënë se mbetjet e gjetura janë të pjesës së brendshme të piramidës, duke përfshirë korridorin kryesor si dhe blloqet me gurë të zbukuruar. “Piramida e lakuar” është konsideruar si përpjekja e parë e egjiptianëve të lashtë për të bërë një piramidë me anë të drejta.