Sot shënohet 16 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni dhe vendosi kornizë për bashkëjetesë ndëretnike.
Negociatat, filluan në Shkup, ndërsa më pas vazhduan në Ohër, ku përfunduan me parafimin e dokumentit më 10 gusht. Tre ditë më vonë më 13 gusht të vitit 2011 në rezidencën presidenciale në Vodno në Shkup marrëveshjen Kornizë e nënshkruan presidenti i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, ai i PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.
Nënshkrues të marrëveshjes në rolin e garantuesve ishin edhe përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-ve, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, të cilët morën pjesë në bisedime. Përveç nënshkruesve në bisedime mori pjesë edhe Havier Solana, përfaqësues i lartë i BE-së për siguri dhe politika të jashtme, dhe Piter Fejt, përfaqësues i SHBA-ve.
Me rastin e 16 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, nën përkujdesjen e Zëvendës Kryetarit të Qeverisë së Maqedonisë, Hazbi Lika dhe Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot në Shkup, organizohet një manifestim i rastit.
Në kuadër të shënimit të 16-vjetorit do të promovohet libri “Marrëveshja e Ohrit” e profesor Milaim Fetait.