Delvina KËRLUKU
Harun Ibrahimi ka lindur në vitin 1954 në fshatin Reçicë e Madhe Tetovë, në një familje patriarkale, e cila kryekëput merrej me bujqësi. Fëmijërinë e ka kaluar në fshatin e lindjes ku edhe e ka kryer shkollën fillore. Pas kryerjes së shkollës fillore, siç rrëfen Haruni, siç edhe i ka treguar babai i ndjerë, ka qenë në dilemë që të vazhdojë me kursin që atëbotë e ndiqte te hoxha i fshatit apo të vazhdojë arsimin e mesëm. Ka vendosur për ketë të dytën dhe në vitin shkollor 1972/ 73 ka kryer gjimnazin në shkollën “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin Letërsi dhe gjuhë shqipe. Në mars te vitit 1978 filloi të punoj si gazetar në Televizionin e Shkupit. Që atë ditë e deri më sot vazhdon që t’i mbetet besnik gazetarisë dhe këtij institucioni. Aktualisht gjendet në pozitën e zëvendësdrejtorit në servisin publik të RTVM-së. Ka qenë bashkëpunëtor – korrespondent i agjencisë së lajmeve BBC,nga viti 1994 deri në vitin 2009, si dhe bashkëpunëtor i Radio Dukagjinit.
KOHA: Duke qenë fëmijëria përjetimi më njerëzor i kësaj bote, ajo mbetet edhe pjesa më e freskët, më e vlefshme e jetës sonë, e të cilën e kujtojmë me mall dhe duam të rikthehemi, gjë që është e pamundur. Si ishte fëmijëria juaj?
IBRAHIMI: Fëmijërinë e kam kaluar në një familje patriarkale, e cila burim kryesor të ekzistencës ka pasur bujqësinë. Fëmijëria ime nuk ka dalluar fare nga ajo e moshatarëve të mi. Të kujdesesh për kafshët e shtëpisë, të punosh në arë së bashku me prindërit dhe çdo herë duke menduar se ke siguruar një përshesh me qumësht apo te gjesh mundësi që në mbrëmje të luash guralecë me shokët e mëhallës. Më kujtohet uji i freskët dhe i pastër i lumit të fshatit, i cili verës na freskonte e në dimër kënaqeshim duke shikuar akullin e varur në lugun, e cili çonte ujin ne mullirin që e kishim aty pranë. Mullisi, axha Abdulla, për të cilin thoshin se është i ardhur nga Kosova, për fëmijët e mëhallës ishte njeriu më i dashur dhe interesant me të folmen e tij, me fytyrë dhe tesha të përlyer me miell, por çdo herë i buzëqeshur dhe i dashur për ne.
KOHA: Mosha e jetës së njeriut në mes të fëmijërisë dhe të pjekurisë është rinia. Rinia juaj ishte rinia e aviacionit, rinia punëtore apo ajo rini shqiptare, që ecte nëpër një sistem të vrazhdë komunist dhe nacionalist?
IBRAHIMI: Një rini e mbushur plot me optimizëm, plot me ëndrra, plot me shpresë për një të ardhme më të lumtur, më të begatë, me shpresë se e sotmja nuk është që do të vijë. Të gjeje një vend të lirë në shkollë të mesme ku mësimi zhvillohej në gjuhën tënde amtare ishte shpresë, ishte dëshirë apo ishte dëshirë e parealizuar që të gjeje një vend në Universitetin e Shkupit, edhe atë për dy arsye: e para për shkak të pengesës gjuhësore dhe e dyta atëbotë të jesh shqiptar dhe të gjesh vend të lirë në Universitetin e Shkupit ishte ëndërr e parealizuar. Rrugë e vetme e hapur ishte Universiteti i Prishtinës.
KOHA: z. Ibrahimi, a e kishit menduar se një ditë do të bëheni gazetar. Si nisi karriera e juaj si gazetar?
IBRAHIMI: Ndoshta gjatë shkollimit të mesëm nuk kam menduar apo nuk e kam pasur të qartë se cili do të jetë profesioni im i jetës, por me fillimin e studimeve në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i letërsisë dhe gjuhës shqipe, bëra hapin e parë të të ardhmes sime dhe përkushtimit në gazetari. Aty, krahas studimeve, bënim edhe pjesën praktike. Kam shfrytëzuar bursën e Radio Televizionit të Prishtinës. Dorën në zemër, i kam hyrë në hak se nuk mbeta në punë atje, por u ktheva në Shkup dhe fillova me punë në Televizionin e Shkupit.
KOHA: Çfarë mendoni për këtë thënie të Volterit: Puna është kripa e jetës?! IBRAHIMI: Përkushtim, ndershmëri, sinqeritet, profesionalizëm, angazhim i vazhdueshëm…
KOHA: Një aparat i posaçëm, me ekran, që punon me rrymë elektrike e me antenë Në çfarë peripeci keni hasur ju dhe ekipi juaj në dhënien e pamjeve dhe figurave të ndryshme në largësi?
IBRAHIMI: Gjërat ndryshojnë në të mirë. Gjeneratave më të moshuara ndoshta ju mungojnë odat e burrave, ku bëhej ajo politika e “madhe”, ku një fliste e të tjerët dëgjonin,vendi ku zhvillohej kuvendi kur zgjidheshin problemet madhore, tashmë e gjithë kjo është zëvendësuar me forma tjera të komunikimit.
KOHA: Të ishe dhe të jesh gazetar në RTVM dhe në përgjithësi në media, ç’do të thotë për ju?
IBRAHIMI: Vetëm ata të cilët kanë punuar dhe punojnë në televizion, mund të vlerësojnë se çfarë të jep e merr puna në këtë medium, që ende vazhdon të ngel magjepse. Në çdo çast je nën survejimin e shikuesit, nën vëzhgimin e rreptë. Nuk është e rastit që thonë se një minutë në televizion të çon në qiell apo e kundërta, një minutë të baltos. Nëse arrin gazetari i cili punon në televizion ta kuptojë këtë, do të arrijë të mbijetojë. Të punosh në televizion në kohen e një mendësie që ishte dritare e vetme për informim, nuk ka qenë punë e lehtë. Është dashur të ecish në tehun e shpatës, pasi syri dhe veshi i madh të përcjellë hap pas hapi. Vetëm ata të cilët kanë ecur nëpër këtë teh, e dinë se çdo të thotë të përjetosh tentimet për të ndryshuar identitetin kombëtar, për të ta ndryshuar qenien kombëtare, simbolet kombëtare, toponimet, përdhosjen e gjuhës amtare shqipe… Gjatë punës sime afro katër dekada në televizion, devizë parësore kam pasur korrektësinë, sinqeritetin, objektivitetin ndaj bashkëbiseduesit dhe balancimin e informacionit.
KOHA: Radio Televizioni i Maqedonisë, Programi në gjuhën shqipe, është televizioni i parë shqiptar në këto troje. Çfarë rrugëtimi ka pasur ky televizion bashkë me ju, për të kumbuar gjuha shqipe?
IBRAHIMI: Më 17 janar të vitit 1945 për herë të parë janë transmetuar lajmet në gjuhën shqipe. Në fakt, vetëm disa muaj pas emetimit të lajmeve në gjuhën maqedonase. Fillimisht ka pasur vetëm disa minuta lajme, që më pas ngadalë të transmetohen edhe emisione të ndryshme nga kultura, arsimi, sporti, bujqësia, reportazhe të ndryshme që në fakt radioja shtetërore në gjuhën shqipe për shqiptarët e Maqedonisë, ka qenë e vetmja dritare nga e cila shqiptarët kanë mund që të informohen për të arriturat e shqiptarëve në Maqedoni, sidomos gjatë kohës së sistemit monist.
Ndërkaq, televizioni me programe në gjuhën shqipe ka filluar më 17 prill të vitit 1968. Është karakteristikë e veçantë se lajmet e para në gjuhën shqipe, të cilat janë transmetuar në Televizionin e Shkupit, janë lajme të para në gjuhën shqipe në mbarë territoret shqiptare. Në ketë kohë lajme televizive në gjuhen shqipe nuk ka pasur as në Tiranë e as në Prishtinë. Themelues të televizionit në gjuhën shqipe kanë qenë Lutfi Rusi, Skender Kuli, Murat Isaku, Suzana Kaba, Alush Kamberi… Fillimisht ka pasur vetëm disa minuta lajme, edhe atë njëherë në javë qe pas disa vitesh të ketë tri herë në javë. Diku pas vitit 1974 të ketë edhe programe të tjera arsimore, kulturore, reportazhe.., edhe pse ato ishin të kontrolluara nga lartë, ishin dritare e vetme për informimin e shqiptarëve të Maqedonisë, për atë që po ndodhte në mjedisin tonë. Shtimi i minutazhit të programeve në radio dhe televizion filloi me rënien e sistemit komunist, sidomos pas vitit 2001. Ligji i miratuar për veprimtari radio difuzive hapi shtegun e ecjes përpara të programeve radiotelevizive në gjuhen shqipe. U shtuan orët në gjuhën shqipe, u punësuan kuadro të reja shqiptare. Sot në Radiotelevizionin e Maqedonisë, në servisin e tretë të radios transmetohet 18 orë program në gjuhën shqipe, ndërsa në servisin e dytë në televizion, 16 orë program në gjuhën shqipe.
KOHA: Jeni zëvendësdrejtor i televizionit shtetëror. Ç’ju sjell dhe natyrisht ç’ju vështirëson në këtë pozicion?
IBRAHIMI: Në postin e zëvendës drejtorit erdha kur në shpinën time kisha mbi 32 vite përvojë në gazetari. Për hir të së vërtetës, dua të pranoj se fillimisht e kam pasur vështirë që të vendos t’i qasem kësaj pune apo jo. Satisfaksionin e gjeta në arsyetimin se do të vazhdoj të ngel i angazhuar në Radio televizion, institucion ku kam kaluar pjesën më të mirë të jetës sime, me dëshirë që sa do pak të jap kontributin tim në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në këtë institucion. Parë nga kjo distancë disa vjeçare, më duket se kam bë një hap përpara në këtë drejtim. Gjatë kësaj kohe në RTVM janë punësuar diku afro 90 shqiptarë, shumica e tyre si gazetarë, por për herë të parë shqiptarë janë punësuar edhe në disa dikastere ku deri atëherë numri i tyre ka qenë simbolik apo fare nuk ka pasur të punësuar, si operatorë të programeve, dizajner të programeve, regjisorë, kameramanë, producentë, dizajner të grafikës…. Mendoj se me angazhimin e njerëzve të rinj, sidomos në pjesën teknike, por edhe në gazetari është freskuar përbërja kadrovike e shqiptarëve në Radio Televizionin e Maqedonisë, që është reflektuar edhe në cilësinë e programit. Radio Televizioni i Maqedonisë gjatë kësaj kohe ka bërë reforma të mëdha edhe në krijimin e kushteve për punë të të punësuarve, duke bërë investime për herë të parë pas 30 e sa viteve dhe në përmirësimin e infrastrukturës së funksionimit të servisit publik. Kemi arritur që të parët në rajon të digjitalizohemi, të krijojmë standarde bashkëkohore me krijimin e studiove të reja dhe pajisjen e tyre me mjetet më bashkëkohore, krijimin e studiove të veçanta për leximin e lajmeve, krijimin e studios virtuale, apo pajisjen e dy studiove te veçanta, të cilat shfrytëzohen vetëm për emisionet në gjuhën shqipe, siç është ajo e mëngjesit dhe e emisioneve për fëmijë.
Gjatë kësaj periudhe kohore është bërë ndërhyrje në sistematizimin për funksionimin e Radio Televizionit të Maqedonisë. Në saje të këtyre ndryshimeve, kemi arritur që serviset në gjuhën shqipe, ë MTV 2 dhe Radio 3, të kenë statut të njëjtë me MTV1 dhe Radio 1. Numri i programeve, redaksive të jetë i njëjtë me programet dhe redaksitë në gjuhën maqedonase. Dhe m’u për këtë fakt, shqiptarët, krahasuar me numrin e përgjithshëm të të punësuarve në fushën e gazetarisë, kanë përafërsisht numër të njëjtë të redaktorëve me programet në gjuhën maqedonase. Përqindja e shqiptarëve të cilët punojnë si gazetarë është afro 35 për qind.
KOHA: Cilat do të jenë risitë në RTVM, kuptohet për programet në gjuhën shqipe?
IBRAHIMI:Viteve të fundit në mënyrë të konsiderueshme janë ndarë mjete të cilat janë shfrytëzuar për blerjen e programeve të veçanta nga producentë të pavarur shqiptar, qofshin nga vendi, Kosova apo Shqipëria. Për herë të parë është bërë sinkronizimi në gjuhën shqipe, duke angazhuar artistë shqiptar edhe për emisione për fëmijë, si: Dora, Diego, Pinguinët apo dokumentare të huazuara.
Nga shtatori i këtij viti fillojmë me programe të reja për fëmijë, emisione dokumentare, filma të luajtur, përrallat shqiptare, filma të blerë nga shtëpi me renome ndërkombëtare siç është BBC, Worner Bros apo Paramont, zhvillime të ndryshme sportive,emisione argëtuese si dhe emisione të përgatitura nga gazetarët e brendshëm, të cilët janë diku afro 20 të zhanreve të ndryshme.
Një e arritur tjetër, për mua e jashtëzakonshme, është edhe fakti se këtu e tre vite me parë, duke filluar nga 1 tetori i vitit 2012 ka filluar së funksionari edhe Programi satelitor në të cilin transmetohet 24 orë program në gjuhën shqipe, transmetohet jo vetëm në Evropë, por edhe në SHBA, Australi dhe Zelandë të Re. Pasi financimi i programeve satelitore bëhet nga buxheti i shtetit, ku qeveria në vit ka ndarë nga 600 mijë euro për funksionimin dhe transmetimin në satelit të servisit të dytë në gjuhën shqipe.
KOHA: Ku e shihni të ardhmen e programeve në gjuhën shqipe ?
IBRAHIMI: Nëse shqiptarët në Maqedoni tashmë kanë institucione të pavarura arsimore, siç është Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nëna Terezë”, institucione të pavarura kulturore, siç janë Tetari Kombëtar Shqiptar në Shkup, teatri i Tetovës apo ai i Kumanovës, apo institucione shkencore siç është Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore i Shqiptarëve në Maqedoni, pse të mos angazhohemi që të kemi edhe një televizion publik shqiptar në Maqedoni. Mendoj se televizioni publik në gjuhën shqipe, i cili do të kishte një pavarësi të plotë menaxhuese, financiare dhe programore, do të arrinte që me sukses të realizonte qëllimin parësor të serviseve publike, tri shtyllat e saja, të informojë, arsimojë dhe të argëtojë. Jam shumë i bindur se gjeneratat të cilat vijnë pas do të gjejnë shtegun për ta realizuar këtë ide.
KOHA: Keni bashkëpunuar edhe me BBC-në?
IBRAHIMI: Po. Bashkëpunimi im mbi 15 vjeçar me një manjat të informimit, siç është BBC, jo vetëm që ka qenë një përvojë më shumë në karrierën time të gazetarit, por më ka bërë që të kuptoj se si duhet të respektohet puna, se si të jesh i përgjegjshëm për fjalën e thënë apo shkruar. Aq më tepër kur me BBC-në kam bashkëpunuar në dy krizat më të mëdha, në atë të Kosovës në vitin 1999 dhe çështja e refugjatëve si dhe kriza e vitit 2001 këtu në Maqedoni.
KOHA: Cili është niveli i arritur i lirisë në botën e sotme mediatike, e në veçanti në mediat shqiptare?
IBRAHIMI: Mendoj se një ndër problemet kryesore sot në media është çështja e ndërtimit të konceptit për funksionimin e tyre, që ato të jenë të pavarura financiarisht, të pavarura nga ndikimet politike dhe ndryshimi i botëkuptimit për formën e informimit. Nëse gazetari në momentin kur ulet para kompjuterit, para se të mendojë se si ta mbështjellë informacionin, se si ta bëjë që informata të jetë më e kuptueshme, të paraqes realitetin ashtu siç është, te ai shtrohet dilema se çka do të mendojë punëdhënësi, do t’i pëlqejë filan fistekut, do t’i pëlqej “nënës parti”, apo jo? Aty përfundon gazetaria. Fatkeqësisht, raste te këtilla kemi.
KOHA: Si e ka përballuar familja profesionin e juaj si gazetar?
IBRAHIMI: Nuk nguroj ta them, bile me krenarin më të madhe pohoj se jam njeriu më i lumtur në botë. Me bashkëshorten time, Habiben, kemi rritur katër fëmijë, tri vajza e një djalë. Dianën, Nexhmijen, Besën dhe Besnikun. Me përkushtimin maksimal, e në mënyrë të veçantë të bashkëshortes sime, e cila është përkujdesur dhe i ka edukuar, tashmë ata kanë kryer arsimim sipëror, kanë krijuar familjet e tyre dhe janë të pavarur në jetë.
KOHA: Çka ju dha dhe çka ju mori gazetaria?
IBRAHIMI: Gazetaria më ka dhënë frymëzim për t’u përballur me sfidat e jetës, me ka mundësuar që më lehtë t’i kapërcej të gjitha vështirësitë, të cilat nuk kanë qenë edhe të pakta. Më ka marrë pjesën më të mirë të jetës sime.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.