Evis HALILI
Shkup, 28 qershor – Ndryshimet e reja ligjore për mediat pritet të prezantohen së shpejti në Parlament. Ligji i ri supozohet se duhet të nxjerrë nga kolapsi financiar mediat, sidomos ato të shkruara dhe të ndryshojë situatën dramatike që është krijuar pas falimentit të një numri të madh gazetash muajve të fundit, shkruan gazeta KOHA. Çfarë duhet të përmbajë Ligji i ri për mediat dhe si mund ta ndryshojë kaosin ku gjenden pjesa më e madhe e mediumeve, sidomos ato shqiptare. Në Shoqatën e Gazetarëve (SHGM) sugjerojnë modelin austriak, që parashikon subvencionimin e mediave të shkruara, si një prej formave që do të siguronin mbijetesën e tyre dhe ruajtjen e lexueshmërisë në tregun mediatik.
TRANSPARENCË PËR SHPALLJET PUBLIKE
I pyetur nëse SHGM do të jetë pro heqjes së shpalljeve publike apo të reklamave, kreu i SHGM, Naser Selmani thotë se në ligjin e ri do të kërkojmë heqjen e reklamave të qeverisë dhe transparencë maksimale sa i takon shpalljeve publike. Kjo pasi gjatë viteve të fundit u dëshmua se reklamat kanë shërbyer si mjet për korruptimin e mediave dhe për instrumentalizimin e tyre për propagandën e qeverisë. Ndërsa sa i takon shpalljeve SHGM nuk do të kërkojë heqjen e tyre, por do të insistojnë që tenderimi të jetë i transparent, jodiskriminues dhe të bëhet në baze të kritereve. “Sa i takon mediave të shkruara dhe mediave lokale me paraqitjen e internetit dhe të rrjeteve sociale përballen me sfida serioze për të mbijetuar në treg. Ne vendet demokratike qeveritë ndërmarrin masa serioze për të ndihmuar median e shtypur dhe mediat lokale. Njëra mënyrë është ndihma përmes lehtësimeve tatimore dhe të shërbimeve publike, siç janë lehtësime për shërbimet e postës, dhe tjetra formë është përmes subvencioneve direkte. Ka disa modele në vendet e Bashkimit Evropian për subvencionimin e mediave të shtypura dhe lokale. Ne si SHGM mendojmë ta ofrojmë modelin austriak, i cili parasheh subvencionimin e medias të shtypur në forma të ndryshme, për promovimin e pluralizmit politik, trajnimin e gazetarëve, zhvillimin e rrjetit të korrespodentëve etj”, thotë për KOHA Selmani.
Ligji për mediat parimisht duhet të përfshijë edhe një nga pikat e Marrëveshjes së Ohrit, (6.1.) në të cilën tekstualisht thuhet se “palët e ftojnë komunitetin ndërkombëtar, duke përfshirë edhe OSBE, që të ndihmojë më shumë me projekte në fushën e mediave, me qëllim fuqizimin e radiove, televizioneve dhe mediave të shkruara, sidomos mediat në gjuhën shqipe dhe ato multientnike. Palët po ashtu e ftojnë bashkësinë ndërkombëtare që të shtojë programe për trajnimin profesional të mediave dhe përfaqësuesve të komuniteteve që nuk përfaqësojnë shumicën në Maqedoni. Po ashtu, ftohet edhe OSBE që të rrisë që të shtojë përpjekjet për projekte që i dedikohen përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike”.
EDHE MO OBLIGON SHTETIN TË NDIHMOJË MEDIAT E KOMUNITETEVE
Lidhur me këtë obligim, dhe mbështetjen financiare të posaçme për mediat shqiptare Selmani thotë se domosdoshmëria për t’u respektuar është e patjetërsueshme, sidomos për një vend që pretendon anëtarësimin në BE.
“Nuk ka vend në BE, ku qeveritë nuk përkrahin me fonde median në gjuhën e bashkësive etnike. Nëse Maqedonia pretendon të anëtarësohet në BE, nuk ka asnjë arsye qe edhe këtu të mos parashikohet një model për përkrahjen e mediave të bashkësive. Kushtetuta garanton ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kulturor të bashkësive. Mbështetja e mediave të bashkësive, të cilat për shkak të tregut të kufizuar nuk mund të mbijetojnë në treg, është njëra ndër obligimet kushtetuese të shtetit. Gjithashtu edhe MO obligon shtetin të ndihmojë mediat e komuniteteve dhe ne do të insistojmë që shteti të përmbushë detyrimet e tij ndaj qytetarëve të saj të bashkësive joshumicë, sepse është obligim kushtetues dhe demokratik”, pohon Selmani.
Sa i takon atyre që do të votojnë ligjin, nuk ka ndonjë propozim apo qëndrim konkret. Nga BDI thonë se do të duhet që të shohin përmbajtjen e vetë ligjit. Edhe nga BESA kanë një qëndrim të ngjashëm. “Se çfarë do të propozojmë për Ligjin për mediat, do të varet nga vetë propozim ligji, por në parim ne jemi të mendimit se mediat nuk duhet të jenë të margjinalizuara. Dhe do të synojmë që me ligjin e ri të mos ketë privime mes mediave me theks tek mediat shqiptare që të mos jenë të privuara apo të margjinalizuara”, thonë nga kjo parti.
Ndërsa LRPDSH thonë se do të mbështesin kërkesat e SHGM, por do të insistojnë edhe në trajtimin e barabartë e mediave. “Ligji për Mediat para së gjithash duhet t’i nënshtrohet edhe një debati publik me ekspertë në fushën e mediave dhe gazetarisë, në bashkëpunim të plotë me SHGM-në. Do të përkrahim çdo ligj që do të ishte në harmoni të plotë me legjislacionin e BE, si dhe me kërkesat e SHGM-së. Kontributi ynë politik do të orientohet për të krijuar kushte politike për një gazetari dhe media të pavarura nga politika dhe Qeveria. Fokusi ynë si subjekt politik do jetë që mediat shqiptare, si ato të shkruara dhe elektronike, te trajtohen të barabarta nga shteti, njëjtë si mediat maqedonase në kuptimin e ndarjes së subvencioneve dhe benefiteve tjera, pa ndërhyrë në punën dhe profesionalizmin e tyre”, thotë zëdhënësi i partisë, Flakron Bexheti.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.