Shkup, 12 prill – Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, dje ka vizituar Serbinë dhe Kosovën për t’u informuar me gjendjen në këto vende, ndërsa të hënën do të udhëtojë për në Tiranë, shkruan gazeta KOHA. Në Beograd, Gabriel është takuar me kryeministrin aktual dhe presidentin e ardhshëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po përballet me protesta masive për shkak të “manipulimit të zgjedhjeve presidenciale”. Në ndërkohë, mijëra protestues në Beograd dhe rreth 20 qytete të tjera kanë vazhduar të kërkojnë largimin e Vuçiqit nga pushteti, me shpjegimin se zgjedhjet janë manipuluar. Të njëjtën ditë, Gabriel do të vizitojë edhe Kosovën. Ministri i Jashtëm gjerman tashmë ka konfirmuar se do të bisedojë me kryeministrin Mustafa dhe përfaqësuesit tjerë vendorë si dhe ndërkombëtarë. Ndërsa të hënën, Gabriel do të shkojë për vizitë edhe në Tiranë, e cila po përballet me krizë politike. “Ne duam që të mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor, në rrugën e tyre drejt funksionimit të shtetit juridik, stabilitetit dhe mirëqenies”, theksoi Gabriel me të zbritur në Beograd. “Bashkëbiseduesit e mi do t’i sigurojë se rruga e anëtarësimit në BE mbetet e hapur, nëse bëjnë përparime dhe vazhdojnë të realizojnë reformat, në vend të tendosjeve dhe përçarjeve”. Në ndërkohë, Gabriel ka vendosur të anashkalojë Shkupin zyrtar, njëjtë sikurse që bëri edhe senatori amerikan, John McCain, i cili ditë më parë vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Ambasada gjermane në Beograd ka informuar se ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel, do që në Serbi dhe Kosovë të informohet me gjendjen atje dhe shkaqet që kanë shkaktuar tendosjet e fundit atje. Serbia edhe nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë e konsideron Kosovën pjesë të saj dhe pohon se nuk do të njohë kurrë pavarësinë e shpallur në vitin 2008. Ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian ka dhënë rezultate në dialog, por shumë marrëveshje nuk janë realizuar deri në fund. Në Kosovë edhe më tej ka rreth 550 ushtarë gjermanë, të cilët në kuadër të KFOR-it, kujdesen për paqen dhe stabilitetin e saj. (koha.mk)