Sipas raportit të Pew Research Center në SHBA dominon klasa e mesme, e cila e ofron dhe e konsumon pjesën më të madhe të shërbimeve të cilat e mbajnë vendin dhe e rrisin ekonominë. Por, kur është fjala për paratë, klasa e mesme po përballet me një varg sfidash, transmeton koha.net. Sipas definicionit të Pew Research Center, klasën e mesme e përbëjnë njerëz me të ardhura prej 42.000 deri në 125.000 dollarë në vit në familjet me tre anëtarë. Ata ballafaqohen me probleme të shumta – pagat stagnojnë, ndërsa shumica e familjeve të cilat i përkasin klasës së mesme nuk kanë para të mjaftueshme për ta paguar kolegjin ose për të dalë në pension. Megjithatë, nuk janë gjithmonë problemet me para rezultat i sfidave ekonomike. Për t’i kthyer gjërat në avantazhin tuaj dhe për t’i ruajtur paratë, ekspertët besojnë se gjëja e parë që duhet bërë është të zvogëlohet borxhi. Një studim i fundit tregoi se shumica e amerikanëve nga muaji në muaj nuk e zvogëlojnë kufizimin në kartën e tyre të kreditit gjë që është një gabim i kushtueshëm, sepse e paguajnë interesin prej 15 për qind. Një tjetër arsye është se shumica e anëtarëve të klasës së mesme nuk kanë fond emergjence. Ekspertët thonë se financat tuaja më lehtë do të dalin nga kontrolli në qoftë se nuk keni para për t’i mbuluar emergjencat të cilat do të ndodhin herët apo vonë. Riparimi i automobilit, problemet shëndetësore, humbja e punës, pushimi afatgjatë për shkak të sëmundjes – të gjitha këto situata të cilat janë të paparashikueshme, dhe të cilat ndikojnë ndjeshëm në buxhetin e familjes. Shumë këshilltarë financiarë sugjerojnë se e dobishme është çdo shumë që mund ta lini mënjanë dhe e mbani “larg nga sytë dhe nga mendja”. Këshilltari financiar Alex Whitehouse beson se një nga gabimet të cilat njerëzit nga klasa e mesme e bëjnë është shtyrja e kursimit për kohën kur të dalin në pension. “Për shumë njerëz është e lehtë të besojnë se do të fillojnë të kursejnë pasi ta paguajnë kredinë, të blejnë shtëpi apo ta paguajnë shkollimin e fëmijëve të tyre. Edhe pse të gjitha këto janë gjëra të rëndësishme, ndërkohë ndodh jeta dhe është e rëndësishme të kursejmë derisa të mos jetë tepër vonë”, thonë ekspertët. Një nga arsyet është gjithsesi edhe shpenzimi i parave në gjëra jo aq të rëndësishme dhe blerja e gjërave të cilave çmimi u bie me shpejtësi. Ekspertët financiarë këshillojnë se është më mirë ta ngasim një automobil pak më të vjetër, ndërsa paratë që do t’i jepnit për automobilin e ri t’i investoni në fondin për raste urgjente.