Qendrat për kthimin e të huajve në Itali, të cilat janë stacionet e parë për mijëra njerëz, të cilën në vitet e fundit në mënyrë të paligjshme përmes Detit Mesdhe kalojnë në Evropë, tregojnë edhe fytyrën e padukshme të krizës globale të refugjatëve, shkruan Anadolu Agency (AA). Qendra për kthimin (CIE) në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Italisë, e cila ndodhet në Ponte Galleria rreth 30 kilometra nga Roma, ka hapur dyert për Shoqatat e korrespondentëve të mediave të huaja, në delegacionin e të cilëve ishte edhe gazetari i AA-së. Në qendrën, arkitektura e të cilës të kujton burgun, dhe ku janë marrë masa të larta sigurie, vërehet gjendje e keqe dhe vizatime në muret e dhomës. Nga 62 femrat, sa ndodhen në qendër, 42 kanë aplikuar për “mbrojtje ndërkombëtare”, dhe në vijim është procedura ligjore, ndërkaq në vijim është edhe procesi i deportimit të refugjatëve të tjerë. Zyrtarët thanë se njerëz të cilët janë në qendër kanë aplikuar për azil ose vendet e origjinës nuk pranojnë të kthehen prapa, prandaj zgjatet procesi i kthimit. Luigi Manzoni, kreu i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Senatin italian, qendrat për kthimin e të huajve i ka krahasuar si një “qorr sokak”. Manzoni ka thënë se gratë, në mesin e të cilëve më shumë janë ato nga Nigeria, në Itali janë sjellë në atë gjendje sa që edhe janë detyruara në prostitucion. “Italia duhet të ndihmojë gratë të cilat janë detyruar në këtë mënyrë të jetesës. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë”, konsideron Manzoni. I pyetur në lidhje se në cilin nivel këto qendra i shërbejnë qëllimit të tyre, Manzoni dha një shembull të tunizianit Anis Amri, i cili në dhjetor kreu sulmin në sheshin e Krishtlindjeve në Berlin të Gjermanisë. “Rasti Amri është një shembull që tregon se në këtë çështje nuk ka zgjidhje të lehtë. Ka shumë masa që mund të merren, por nuk ka një recetë të sigurtë”, tha Manzoni. Ai potencoi nevojën e arritjes së marrëveshjes me vendet nga ku vijnë refugjatët dhe se kjo është metodë e duhur. Manzoni rikujtoi se Amri, pas mbërritjes në Itali, në një kohë ishte i arrestuar, dhe se nga burgu është transferuar në qendrën për kthimin e të huajve. “Në qendër është konstatuar se ai është tunizian dhe është vendosur kontakt me autoritetet e atij vendi. Midis Italisë dhe Tunizisë ka një marrëveshje të nënshkruar për riatdhesim. Megjithatë, zyrtarët tunizianë kanë theksuar se Amri nuk është tunizian dhe për këtë arsye ai nuk është kthyer”, tha Manzoni, i cili shtoi se Amri, pasi doli nga qendra, një kohë ka qëndruar në Itali, dhe më pas ka shkuar në Gjermani. Ai tha se me këtë rast u konfirmua se kush ishte, por se edhe autoritetet gjermane nuk kanë mundur ta deportojnë atë, pas së cilës ai ka vazhduar të jetojë në vend deri në “sulmin e tmerrshëm në Berlin”. I pyetur se çfarë duhet të bëhet në një situatë të tillë, Manzoni tha se duhet të bërë shumëçka. “Duhet të dimë se jemi ballafaquar me një situatë që nuk do të zgjidhet në një kohë të shkurtër. Është e domosdoshme që të gjithë të jenë të bashkuar. Për këtë problem duhet një veprim i përbashkët i të gjithë Evropës”, thotë Manzoni. Ajo që është e përbashkët e të gjithë njerëzve që mbahen në qendër me të cilët ka biseduar gazetari i AA është dëshira që sa më parë të largohen nga qendra. Personat që mbahen në këto qendra u është siguruar këshillim ligjor, teknik dhe psikologjik, por njerëzit që mbahen këtu kërkojnë që sa më shpejt të dalin nga aty. Shabba Kadiga katër vjet më parë në mënyrë të ligjshme me pasaportë dhe me vizë ka ardhur nga Libia në Itali. Përmes lotëve ajo i tregoi historinë e saj të jetës. Ajo shtoi se për shkak të keqinterpretimit të mesazheve që ka shkruar për Libinë në internet, ishte mbajtur shtatë muaj e arrestuar dhe më pas ishte dërguar në këtë qendër. Kadiga (44), e cila ishte një profesoreshë në Universitetin e Bengazit, foli për kushtet e vështira në qendrën për kthimin e të huajve. “Madje, edhe burgu ku kam qëndruar ka qenë më i rregulluar dhe më i mirë nga kjo qendër. Më mirë të kthehem në burg, këtu unë po vdes. Shumica e njerëzve me të cilët jemi këtu janë të çekuilibruar mendërisht”, u ankua Kadiga e cila tha se është i pamundur kthimi i saj në Libi. Ajo ka parashtruar kërkesë për azil, pasi kontrollin në qytetin e saj e ka marrë shefi i ushtrisë libiane Khalifa Haftar. “Nuk mund të kthehem në vendin tim, në qytetin tim. Ata mendonin se publikimet e mia ishin në lidhje me terrorizmin dhe DEASH-in, kurse unë kam shkruar në lidhje me revolucionin”, ka thënë Kadiga. Florentina, një shtetase e Rumanisë e cila nuk deshi të zbulojë mbiemrin, në Itali ka ardhur në vitin 2004, dhe thotë se në një kohë ishte detyruar në prostitucion, pas së cilës ajo ka punuar në një lokal. Ajo shtoi se ishte akuzuar për vrasje dhe se për këtë arsye ka kaluar dy vite në burg, por kur u dëshmua pafajësia e saj, ajo doli nga burgu. “Skadoi afati i dokumenteve. Pastaj më kapën. Në këtë qendër më sollën për të më dëbuar në Rumani. Unë u rrita këtu, nuk kam se çfarë të bëjë në Rumani. Jeta ime është këtu”, tha Florentina. Ajo tha se edhe më parë e kishin dërguar në Rumani, por se ka arritur të kthehet.