Bujar KURTAJ
Shkup, 18 korrik – Në ditët e sotme, menaxherët dhe agjentët luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në ecurinë e futbollit, pasi janë pikërisht ata që bëjnë të mundur transferimet e lojtarëve. I tillë është edhe agjenti i njohur shqiptarë Faruk Pograxha, i cili me menaxherët e tij ka realizuar dhe vazhdon të realizojë transferimet në klube të ndryshme. Për gazetën KOHA, Pograxha rrëfehet edhe për karrierën e tij si futbollist, transferimin e tij në Belgjikë, hapat e parë si menaxher dhe jetën e tij para dhe pa futbollit.
KOHA: Faruk, na tregoni diçka më shumë për veten tuaj?
POGRAXHA: Me futboll kam filluar të merrem qysh prej moshës 5-vjeçare te KF Slloga J. (tani FC Shkupi), duke i kaluar gjitha grupmoshat. Trajneri im i parë ka qenë Setko Ali, i cili aso kohe ka pasur një gjeneratë shumë të mirë, duke filluar nga unë, pastaj Agim Sopi, Mentor Xhemaili, Sadullla Bekiri Xhenan Hajdari, Erol Avdi, derisa nuk kanë munguar edhe rezultatet. Një kohë u largova nga Slloga pasi duhej të kryej shërbimin ushtarak në Banja Llukë. Fatmirësisht gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, jam stërvitur te skuadra e ‘Banja Llukës’, dhe falë ndërmjetësimit të ish-boksierit të mirënjohur shqiptar Aziz Salihu dhe boksierit tjetër Mirko Puzoviqit. Të jem i sinqertë te skuadra e ‘Banja Llukës’ kam luajtur vetëm në ndeshje miqësore, duke më ndihmuar kështu që të marr një eksperiencë edhe më të madhe si futbollist. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, u riktheva te Slloga Jugomagnat dhe fillova të luaj në ekipin e parë. Pata disa ndeshje të mira dhe pas kësaj mu dha mundësia që si 19-vjeçar (1991) të shkoj në Belgjikë te skuadra e RSËJ Ëaver, që ishte kontrata ime e parë profesionale.
KOHA: Si erdhi deri te transferimi yt nga Slloga J. te RSWJ Waver dhe si arrite të adaptohesh duke marr parasysh se ishe vetëm 19-vjeçar?
POGRAXHA: Nga paraqitjet që i kisha te Slloga disa miq dhe njohës të mirë të futbollit më rekomanduan që të vazhdoj karrierën diku jashtë në Evropë. I dëgjova këshillat e tyre dhe vendosa të shkoj në Belgjik, tek anëtari i Ligës së dytë RWËJ Waver. Kur shkova në Belgjik u vendosa të familjarët e mi, respektivisht dy axhallarët e mi të cilët jetojnë atje. Kjo ka qenë avantazhi imi që kisha familjarët e mi dhe nuk e pata vështirë të adaptohem. Më pas e kisha shumë lehtë, ndërsa kam pasur mundësi të luaj edhe për klube tjera të Ligës së dytë, e të tretë deri në moshën 32-vjeçare kur edhe përfundova karrierën time si futbollist. Gjatë qëndrimit tim te skuadra e RSWJ Waver kam pasur mundësi që të luajë bashkë me Kidermans, që sot njihet si menaxher i skautëve të Anderlehtit.
KOHA: Çfarë ju lidh ju me futbollin dhe pse zgjodhët të bëheni agjent i futbollit?
POGRAXHA: Ideja që të bëhem agjent më lindi derisa merresha me futboll, duke marr parasysh se shqiptarët në përgjithësi kanë talent për këtë sport. Nuk jam menaxher të jemi i qartë, por agjent i cili punon për menaxher që janë shumë të njohur në Evropë. Pra unë jam agjent, dhe puna ime është që të interesohet për ndonjë lojtar të caktuar dhe më pas t’ia propozojë menaxherit, i cili e finalizon më pas punën e tij. Më saktë unë paguhem për Bekir Tedik, i cili është pronar i agjencisë selia e së cilës është në Bruksel dhe unë paguhem pra të përcjell lojtar.
KOHA: Përmendet se jeni agjent dhe jo menaxher. Atëherë kush janë menaxherët për të cilët ju punoni?
POGRAXHA: Unë punoj pra si agjent për menaxherët e njohur evropian si Bekir Tedik nga Belgjika por me origjinë turke, Herman De Souza nga Brazili, Refik Bruliç nga Mali i Zi dhe Xhejlan Kër nga Belgjik me origjinë turke.
KOHA: Cilat vende përfshijnë fushë-veprimtarinë tuaj dhe me cilat liga bashkëpunoni?
POGRAXHA: Fushë-veprimtaria jonë fillon nga Afrika-vendet e Evropës, Turqi e deri në Maqedoni-Kosovë e Shqipëri. Pikërisht këto të fundit do të jenë si furnizim për Turqinë dhe vendet Evropiane pasi kemi shumë futbollist të talentuar shqiptar. Në fakt baza jonë në Turqi është skuadra e Boluspor dhe Konjaspor, pasi menaxheri Bekir Tedik është furnizuesi i lojtarëve për këto dy skuadra. Kjo donë të thotë se bashkëpunimi ynë është me Ligat e para si Konjaspor, Boluspor, Bursaspor, pastaj ato evropiane si Anderleht, Brizhi, Genti dhe sigurisht me ato të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Jemi të hapur me secilin menaxher apo agjent për bashkëpunim.
KOHA: Sa lojtarë janë transferuar në klube të caktuara, si rezultat i punës suaj të palodhur?
POGRAXHA: Numri i futbollistëve të cilët unë me menaxherët e mi i kemi realizuar është i madh. Do të jem objektiv, pra bëhet fjalë për një numër prej 27 lojtarëve që për këto katër vite kemi arritur ti transferojmë në klube të ndryshme. Do ti kisha dalluar transferimet e Khadim Rassoul Joher nga Anderlehti në Lokeren, Halil Sirac nga Malines në Aalst, Imoh Eekiel nga Al Arbiya tek Konjaspor, transferime këto që u realizuan vetëm këtë vit, ndërsa pritet të realizohen edhe disa por që për momentin nuk mund të zbuloj detaje se për cilët futbollist bëhet fjalë. KOHA: A mendoni se futbolli shqiptarë ka talente të rinj, të cilët premtojnë më kalimin e kohës?
POGRAXHA: Aq jam i bindur dhe nuk mundem mos ta them se thelbi apo furnizuesit e futbollistëve në Ballkan janë shqiptarët. Kemi shumë lojtar të talentuar por nuk kemi kushte dhe jemi të kufizuar në çdo lëmi. Mirëpo, unë do të bëj çmos që të bëhemi një ndër furnizuesit më të mëdhenj të futbollistëve shqiptar në Ballkan. Ne talentin e kemi nga Zoti dhe jo si gjermanët apo holandezët e të tjerët që forcohen me punë. Kjo dëshmohet edhe me Adnan Januzaj, i talentin e ka nga Zoti dhe nuk e ka blerë si të tjerët. Pas profesionalizimit të tij më pas ai shkoi në Mançester Junajted. Me një fjalë siç e kanë kërkuar belgët ‘Diamantin’ në Zair, tani evropianët po e kërkojnë ‘Diamantin’ në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.
KOHA: Si i vlerësoni kushtet në futbollin shqiptarë, dhe sa i ndihmojnë të rinjtë që të zhvillohen?
POGRAXHA: Kushtet në Ballkan janë shumë të rënda. Nuk mundem me paramenduar se kemi lojtar të talentuar të cilët janë të kufizuar në çdo aspekt. Më vjen mirë se edhe përkundër këtyre vështirësive, kemi lojtar shqiptar të talentuar dhe për këtë përgëzoj të gjithë trajner dhe ata që punojnë në këtë lëmi pasi siç thash po punojnë në shumë kushte të rënda. Unë kam marr një iniciativë për popullin tim, pasi jam shqiptar, me prejardhje nga Kosova që kam jetuar në Maqedoni dhe jam rikthyer në vendlindjen e gjyshit tim në Pograxh që të kontribuoj me përvojën time tek skuadra e Vllaznia nga Pozharani.
KOHA: A mund të bëni një krahasim për futbollin në Shqipëri – Maqedoni dhe Kosovë?
POGRAXHA: Të jem i sinqertë, futbolli në Shqipëri është më i avancuar se sa në Maqedoni dhe Kosovë. Në Maqedoni janë disa klube që janë në nivel, ndërsa jam i bindur se këtë vit Liga e parë e Kosovës do të jetë më e avancuar me përforcimet që po i sjellin klubet si Prishtina, Drita, Liria, Vllaznia. Nuk ngelim shumë mbrapa të tjerëve, por duhet të jemi të vetëdijshëm se na nevojitet ende punë për të arritur nivelin evropian.
KOHA: Përmendët Vllazninë e Pozhoranit. Cili është roli juaj në këtë skuadër?
POGRAXHA: Drejtusit e klubit më ofruan që të inkuadrohem te skuadra e tyre me të vetmin qëllim që me përvojën që e kamë të profesionalizoj klubin më shumë në elitën e futbollit kosovar. Disa miq të mirë sportiv më këshilluan që të kontaktoj me drejtuesit e Vllaznias, për të lidhur një bashkëpunim me ata. Aktualisht ushtroj detyrën e menaxherit i klubit ku detyra ime do të jetë të sjell lojtar dhe njëkohësisht të profesionalizoj klubin. Aktualisht kam sjell dy lojtar të ri nga Afrika, që kanë qenë në Francë njëri dhe tjetri në Gjermani si dhe një futbollist shqiptar nga Zvicra, Aldon Isenaj i cili vjen nga akademia e Benfikës, ligës B.
KOHA: Derisa je marr futboll aktiv, cila ndeshja të ka lanë më shumë përshtypje?
POGRAXHA: Sigurisht se po edhe atë në fanellën e Slloga J. Ka qenë ndeshja miqësore kundër KF Prishtina, e cila u zhvillua në Çair para një numri të madh të shikuesve ndërsa kemi humbur 7:1. Ka qenë Prishtina shumë e fortë, e cila e mundte ‘Crvena Zvezdën’, ndërsa pjesë e saj ishin futbollistët si Mensur Nexhipi, Batroviqi e shumë të tjerë ndërsa Gjuriqi ka qenë trajner. Në atë ndeshje kam bërë një asistim për Xhelal Hajdarin, i cili më pas e shndërroj në gol. Ka qenë një moment kur fusha ishte e mbuluar me ujë pasi binte shi, dhe par vetes kisha vëllezërit Muriqi, derisa ishte një pus shumë i madh. Pasi i mëshova ujit me këmbë, uji i hyri në sy Muriqit dhe e kalova. Pas kësaj i gjithë stadiumi reagoi dhe duartrokiti, dhe më pas më pyesnin se prej nga më lindi ideja që të një gjë të tillë. Duke qeshur u thash se mënyra e vetme për ti kaluar vëllezërit Muriqi ka qenë vetëm ajo mënyrë, tjetër nuk dija se si ti kaloj.
KOHA: A të ka ngelur diçka peng që nuk ke mundur të realizosh gjatë karrierës tënde?
POGRAXHA: Si lojtar nuk ngopesh asnjëherë. I shoh Ronaldon dhe Mesin, të cilët edhe pas fitimit të pesë ‘Topave të Artë’, ‘Këpucët e Arta’ përsëri nuk ngopen. Por, unë falënderoj Zotin që kam pasur mundësi të jem në masin e atyre lojtarëve në Belgjik dhe karrierës sime si futbollist. A më ka ngelur peng diçka?Sigurisht që po. Por aq ka dashtë Zoti dhe jam falënderues për at, si dhe që më ka mundësuar tani të ndihmoj popullin tim në ato që mundem t’ia jap.
KOHA: Kush është në jetën private Faruk Pograxha?
POGRAXHA: Faruk Pograxha në jetën private është një prind i mirë, baba i katër vajzave. Kam një familje të shëndosh në Belgjik, kam shumë miq në Kosovë. Para se të filloj të punoj si agjent, 15-vite kam punuar si nëpunës në spitalin universitar St Pjer .