Gostivar, 10 korrik – Nga viti i ri shkollorë, shkolla fillore “Vrapçishti” në fshatin Vrapçisht do të bëhet me çerdhe publike për fëmijët, e ku do të mund të dërgohen fëmijët e të gjitha grupmoshave parashkollore. Çerdhja është vendosur në hapësirat e shkollës së Vrapçishtit, ku janë rregulluar pesë klasa të cilat do të jenë në dispozicion të çerdhes. Pos hapësirave për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimorë, është rregulluar edhe një kuzhinë dhe tualetet janë përshtatur për moshën e fëmijëve që do të ndjekin edukimin e tyre parashkollorë në këtë çerdhe. Punimet nga afër i ka ndjekur vetë kreu i Komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadrija, i cili sqaroi se projekti është i përbashkët me UNDP ku së bashku investojnë 38 mijë euro. Kadrija shtoi më tej se interesimi është i lartë nga prindërit për ti regjistruar fëmijët e tyre, e për çka tha ai, do t’u ulen atyre shpenzimet dhe do të kursejnë edhe në kohë, pasi deri tani janë obliguar fëmijët e tyre t’i regjistrojnë në çerdhet e Gostivarit, njofton Flaka. Drejtori i shkollës fillore të Vrapçishtit, theksoi se projekti ka nisur para dy vitesh dhe sot bëhet realitet, duke shtuar se për edukimin e fëmijëve tanimë është bërë edhe përzgjedhja e kuadrit adekuat.
“Në shkollën fillore të fshatit Vrapçisht që para dy viteve u nis projekti për hapjen e një çerdheje për fëmijë së bashku me UNDP, dhe tani pas përfundimit të punëve nga ky vit shkollorë që vjen çerdhja do të lëshohet në përdorim. Për çerdhen kemi përshtatur një pjesë të shkollës, ndërsa në fshat për këtë çerdhe ka shumë interes nga ana e prindërve pasi prindërit tani nuk dëshirojnë që fëmijët e tyre të humbin kohë pa asnjë angazhim, ti lënë në shtëpi me gjyshërit e tyre, sepse ato këtu do të marrin edukimin e duhur nga kuadrot tona profesionale që do ti përgatisin ato pastaj për në shkollë”. Çerdhja do t’i plotësojë të gjitha standardet profesionale për funksionimin e saj, ndërsa kreu i Vrapçishtit, Kadrija theksoi se në të ardhmen edhe në fshatrat tjera më të mëdha të cilët i takojnë komunës së Vrapçishtit do të bëhen me çerdhe publike. Kjo është çerdhja e parë që hapet në territorin e Komunës së Vrapçishtit dhe e njëjta ka një kapacitet për mbi 100 fëmijë.