Franca do të sistemojë numër të madh të policëve dhe ushtarëve në rrugë për t’i penguar sulmet eventuale ekstremiste gjatë festave të fundvitit, deklaroi sot ministri i sapozgjedhur i Punëve të Brendshme Bruno Le Ru, duke shtuar se “kërcënimi është serioz”. Ai këtë e paralajmëroi pasi Parlamenti mbrëmë votoi vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme, që në Francë u vendos pasi islamikët në disa sulme të koordinuara më 13 nëntor të vitit 2015 në Paris vranë 130 persona, transmetuan mediat britanike. “Dëshiroj që turistët të vijnë në këtë vend në numër të madh dhe dëshiroj bashkëqytetarët tanë të mund të dalin dhe të zbaviten”, tha ministri i ri për radion RTL. Le Ru ka autorizim të sistemojë rreth 3.000 policë dhe ushtarë shtesë gjatë festave të fundvitit, kur në aeroportet dhe stacionet hekurudhore ka turma të zakonshme dhe kur organizohen shumë festime dhe ngjarje festive.