Forcat qeveritare të Bashar Al-Assadit që po luftojnë kundër xhihadistëve të ISIS-it dhe grupeve të tjera rebele në Aleppo kanë publikuar së fundmi kopjen e pasaportës të një shqiptari që edhe më herët është raportuar të jetë vrarë prej tyre gjatë luftimeve për marrjen nën kontroll të qytetit. Bëhet fjalë pikërisht për Hamit Muslija, që siç raporton “BalkanWeb”, rezulton edhe nga kopja e pasaportës të jetë shtetas shqiptar, e që ka hyrë në Siri nëpërmjet një vize të marrë në vitin 2011 nga Ambasada e Arabisë Saudite. Për herë të parë emri i Hamit Muslija u bë publik gjatë procesit hetimor kundër grupit të 9 xhihadistëve shqiptarë të hetuar dhe dënuar tashmë në total me 109 vite burgim.
Ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda ajo që zbardhi fillimisht emrat e 6 shqiptarëve që dyshoheshin të ishin vrarë në Siri, të cilët ishin rekrutuar pikërisht nga grupi i akuzuar për terrorizëm dhe Xhihad. Aso kohe organi i akuzës konfirmoi se kishte marrë një raport të gjatë të dërguar nga SHISH ku, siç raporton “BalkanWeb” flitej për të gjithë procesin e kryer, rekrutimet, dërgimet në Siri, përfshirjen në luftë dhe pasojat. Tashmë vrasja e Hamit Musliaj është konfirmuar zyrtarisht edhe nga forcat qeveritare siriane.