Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 shkurt – Investitorët e huaj në Maqedoni për pesë vite kanë nxjerrë nga Maqedoni shumën prej afër 1.2 miliardë euro në emër të fitimeve dhe dividendës, shkruan gazeta KOHA. Vetëm në dhjetë muajt e parë të viti 2016 janë nxjerrë jashtë afër 280 milionë euro në emër të fitimeve dhe pagesës së dividendës. Në vitin 2015, investitorët e huaj në 2015, në Maqedoni kanë investuar vetëm 12.4 milionë euro të fitimit, ndërsa kanë derdhur jashtë shtetit shumën prej 187.4 milionë euro, duke mos shfrytëzuar lehtësimet e ndryshme fiskale që i ofron shteti për reinvestimin e kapitalit.
Të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se, përgjatë periudhës 2012-2016, në emër të derdhjes së kapitalit nga aksionet dhe fondet investuese, jashtë shtetit kanë përfunduar 1 miliardë e 174 milionë euro në emër të fitimeve dhe pagesës së dividendëve.
Në dhjetë muajt e parë të viti 2016 është derdhur kapital prej 275 milionë euro, në vitin 2015 janë derdhur 298 milionë euro, në 2014 kjo shumë ka qenë 194 milionë euro, në vitin 2013 – 229 milionë euro dhe në vitin 2012 – kjo shumë ka qenë afër 178 milionë euro. Shuma e parave është nxjerrë edhe në emër të pagesës së dividendave të aksionarëve, të cilët me vite kanë investuar kapitalin e tyre në biznese të ndryshme në Maqedoni, duke transferuar më vonë fitimin jashtë vendit në llogaritë e kompanive amë. Nga ana tjetër, në vitin 2012 ka pasur 111 milionë euro investime të huaja, në 2013 ka pasur 252 milionë euro, në 2014-ën, ka pasur 205 milionë euro, në 2015-ën ka pasur 157 milionë euro, dhe në dhjetë muajt e parë të 2016 – ka pasur afër 200 milionë euro investime të huaja. Kjo, me fjalë të tjera do të thotë se kemi shënuar 925 milionë euro investime të huaja, por edhe ikje të kapitalit në vlerë prej 1.2 miliardë euro.
Njohësit e çështjeve vlerësojnë se nuk ka asgjë kontestuese në atë që kompanitë e nxjerrin fitimin jashtë tek kompanitë amë apo e kthejnë një pjesë të profitit, për shkak se nuk janë kushtëzuar paraprakisht që së paku – një pjesë të profitit ta investojnë sërish aty ku shënojnë fitim. Faktor tjetër në këtë drejtim është edhe krijimi shumë i ngadalshëm dhe i dobët midis lidhjeve midis firmave të huaja dhe furnizuesve lokal.
“Që moti është dashur të kushtëzohen kompanitë e huaja që investojnë në Maqedoni, e që sipas marrëveshjes paraprake, së paku një pjesë të fitimit ta investojnë sërish në vend. Gjithashtu, në marrëveshjet për investim të tyre – duhej të qëndronte edhe klauzola e obligueshme që së paku 50 për qind e lëndëve të para apo shërbimeve të ndryshme, të ofrohen nga kompanitë vendore të cilat në ndërkohë do të fuqizoheshin dhe do të merrnin veten, duke u bërë lojtar edhe më i rëndësishëm në ekonominë vendore. Si element i tretë në këtë mozaik të investimeve të huaja, vlen të theksohet edhe fakti se duhet t’ju mundësohej kompanive të diasporës po të njëjtat kushte të barabarta të investimeve, ngjashëm me investitorët e huaja qoftë në sektorin e shërbimeve, prodhimit apo veprimtarive të tjera me qëllim që atyre t’ju sigurohen mundësi dhe volitshmëri maksimale për të investuar në vendlindje”, thotë për KOHA, Menderez Kuçi, anëtar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
Ndryshe , analistët ekonomik vlerësojnë se ekzistojnë më shumë shkaqe pse në Maqedoni nuk investohet sërish fitimi, dhe pse shënojmë ulje të investimeve të huaja në raport me shtetet fqinje, duke filluar nga kriza politike dhe prolongimi i saj që i largon investitorët e huaj si dhe konkurrenca e shteteve fqinje si Shqipëria, Kosova apo Serbia, që ndërmarrin aktivitete për tërheqjen e investimeve të huaja. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Maqedonia është më e suksesshme vetëm se Bosnjë e Hercegovina në tërheqjen e investimeve të huaja, ndërkaq vendet tjera si Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Serbia kanë rezultate më të mira në këtë drejtim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.