“Kur dita s’kishte emër” është titulli i filmit të frymëzuar nga vrasja e katër fëmijëve dhe një të rrituri te Liqeni i Smillkovës afër Shkupit, në vitin 2012, me të cilin regjisorja maqedonase Teona Mitevska do të marrë pjesë në Festivalin prestigjioz të filmit në Berlin, që do të mbahet prej 9 deri më 19 të muajit të ardhshëm.
Premiera e filmit maqedonas, i cili shfaqet në kuadër të programit “Panorama”, ku do të prezantohen 51 filma nga 43 vende, do të jetë më 14 shkurt në sallën ku bëhet edhe hapja e “Berlinales” dhe që ka 780 ulëse, njofton portali sdk.mk.
“Kur dita s’kishte emër” është filmi i tretë i Teona Mitevskës dhe produksionit “Motrat dhe vëllai Mitevski” që shfaqet në këtë festival, pas filmave “Unë jam nga Titov-Velesi” më 2008 dhe “Gruaja që i fshiu lotët” më 2012.
Filmi është mbështetur nga “Euroimage”, ndërsa Ministria e Kulturës e Maqedonisë ka ndarë shumë maksimale prej 500 mijë euro. Koproducentë të filmit janë “Vertigo” nga Sllovenia dhe “Entre Chien” nga Belgjika. Një nga rolet kryesore interpreton motra e regjisores, Labina Mitevska, e njohur për rolin e vajzës së re shqiptare në filmin e famshëm “Para shiut” të Millço Mançevskit.
Një ditë para Pashkëve ortodokse, më 12 prill 2012, te Liqeni i Smillkovës në perferi të Shkupit u vranë 4 fëmijë maqedonas që kishin dalë për peshkim dhe një i rritur. Për vrasjen me burg të përjetshëm u dënuan 6 shqiptarë të Maqedonisë, por shumëkush akoma mendon se ata nuk janë fajtorët e vërtetë dhe kërkojnë hetime të reja dhe gjykim të ri të pavarur, duke përfshirë edhe Prokurorinë Speciale Publike. (Express)