Evis HALILI
Shkup, 28 janar – Fondi i Filmit ka dy versione për skenarin e filmit “Kur dita s’kishte emër”, që flet për ngjarjen e bujshme dhe tragjedinë e ndodhur në vitin 2012 në Liqenin e Smillkovës dhe operacionin “Monstra”, shkruan gazeta KOHA. Por, nuk ka asnjë përgjigje se si do të ndikojë dhe çfarë pasojash do të ketë pas shfaqjes së këtij filmi për të gjitha viktimat, për ata që humbën jetën, por edhe viktimat e tjera të operacionit policor, atyre që u dënuan dhe që u keqtrajtuan katër vjet më parë. Filmi, i miratuar në programin e vitit 2014 me fondin maksimal që jep ky institucion – 500 mijë euro, premiera e të cilit do të shfaqet muajin e ardhshëm, në Programin “Panorama special” të Festivalit të Filmit në Berlin. Nëse prej dy ditësh kreu i Fondit të Filmit, Mimi Gjorgeska, nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me realizimin e këtij filmi që ka provokuar reagime për vetë tematikën, përmbajtja e filmit vjen me një version të ri. Nga ky institucion nuk japin asnjë përgjigje as për personat që kanë qenë të angazhuar për të lexuar skenarët e filmave konkurrues. Ish drejtori Darko Bashevski, gjithsesi është i mendimit se bëhet fjalë thjesht për një film dhe paratë të cilat i janë akorduar nga buxheti i shtetit për programin me interes nacional, duhet të justifikohen me suksesin që do të ketë projekti. Nga ana tjetër, ky film është nga të vetmit ku Fondi i Filmit është treguar i kujdesshëm për të mos bërë publike përmbajtjen, por edhe vetë xhirimet në të cilat nuk janë ftuar mediat.
Dy sinopse për një film
Në faqen elektronike të Fondit të Filmit, në informacionin e publikuar të premten, sinopsi i prezantuar është krejtësisht ndryshe, nga ai me të cilin ky film paraqitet në katalogun e filmave në realizuar gjatë vitit 2015. Liqeni i Smillkovës quhet periferi e Shkupit, ndërsa asgjë nuk përmendet nga operacioni Monstra, terrorizmi e të tjera, të cilat janë pjesë e versionit në katalog të sinopsit.
“Ky film rrëfen historinë e gjashtë adoleshentëve. Milani dhe shoku i tij më i ngushtë, Petari, së bashku me djem të tjerë, bëhen, gati për një ekskursion aventurist diku në periferi të Shkupit. Ata janë të ekzaltuar nga nata argëtuese që i pret, të pinë dhe të dëfrejnë deri në orët e para të mëngjesit kur do të peshkojnë. Ata janë adoleshentë tipikë, vlojnë nga tensionet dhe ekzaltimet seksuale dhe romantike, por edhe të ngarkuar me shqetësimet materiale të jetës. Ndonjëherë janë engjëllorë dhe djaj, bashkë; mezi presin që të jenë të rritur, por që prapëseprapë sillen si fëmijë. Me marrëdhënie disfunksionale me prindërit e tyre dhe familje të shkatërruara nga hallet e tranzicionit, ata i takojnë gjeneratës që rritet mes pasigurisë sociale dhe vlerave të dyshimta. Nata e tyre e dëfrimit të shfrenuar do të shënohet nga vizita pa fat e një prostitute adoleshente dhe krejtësisht do të përmbyset nga një konflikt i papritur”, kështu shkruhet në informacionin e Fondit të Filmit për filmin që prezantohet në Berlinale. Ndërsa në katalogun e publikuar nga ky institucion prezantohet me një version tjetër, dramatik, por edhe të pasaktë.
“Një ditë përpara Pashkëve të vitit 2012, trupat e katër adoleshentë u gjetën buzë të një liqeni jashtë Shkupit. Trupat ishin të rreshtuar, secili me një vrimë plumbi në kokën e tyre. Djemtë ishin në peshkim. Kombi ishte i tronditur. Thashethemet morën hov. Hetimi i policisë, i quajtur zyrtarisht “Monstra” sugjeroi se autorët ishin terroristë islamikë. Dy vjet më vonë, gjykata dënoi me burg katër persona për vrasje dhe terrorizëm. Autorët e supozuar u deklaruan të pafajshëm. Filmi është një rekonstruksion i ngjarjeve që mund të kishin ndodhur atë ditë gjatë orëve përpara tragjedisë, duke na mundësuar që të jetojmë jetën dhe momentet e fundit të jetës së viktimave. Ky është më tepër rikonstruktimi i realitetit të zymtë në Maqedoni sesa një vlerësim i ngjarjeve aktuale. Është një film për një vend ku jeta mund të ketë një fund të papritur pa një shkak ose sqarim”, shkruhet në sinops.
Bashevski, filmi me interes nacional
Dy vjet më parë, kur Agjencia e Filmit u shndërrua në Fondin e Filmit në Programin vjetor, mes të tjerash u miratua projekti për xhirimin e filmit “Kur dita s’kishte emër”. Ish drejtori Bashevski, për gazetën KOHA justifikon mjetet e ndara për këtë film, ndërsa tematikën e përligj me fjalët se kemi të bëjmë me një film, me një fiksion. Interes nacional nënkupton një projekt ë supozohet se ka sukses, brenda e jashtë vendit, thotë ai.
“Ky nuk është një film dokumentar, por artistik, është një fiksion. Mund të jetë frymëzuar nga ndonjë ngjarje, por edhe kur bëhet fjalë për filma të bazuar në histori të vërtetë, asnjëherë nuk janë 100 për qind të vërtetë, ka një pjesë që është e trilluar. Sidomos, kur bëhet fjalë për këtë film, që ende nuk e kemi parë. Fondi i Filmit e miraton skenarin, por deri në realizmin e filmit kalojnë vite dhe skenari pëson ndryshime. Në atë moment na është dukur skenar i mirë, edhe regjisorja e suksesshme dhe është miratuar nga Këshilli”, thotë Bashevski. Në kohën kur është miratuar ky film, në Fondin e Filmit vendi i anëtarit shqiptar në Këshillin drejtues ka qenë bosh, ashtu siç është edhe tani. Dramaturgu Refet Abazi është një prej atyre që kanë qenë të angazhuar për të lexuar skenarë, por ai thotë se ky skenar nuk i ka rënë në dorë. Skenarin nuk e ka lexuar as edhe aktori i vetëm shqiptar që merr pjesë në këtë film si figurant me një rol episodik, Asdren Selimi. “Jam në rolin e statistit dhe nuk e kam lexuar skenarin, bile as me regjisoren s’kam pasur asnjë kontakt”, thotë për KOHA, Selimi. Lidhur me këtë film kanë refuzuar të flasin edhe nga produksioni “Sisters and brother Mitevski”. Regjisorja e filmit është Teona Strugar-Mitevska, filmi, një kooproduksion, është xhiruar në Maqedoni, Serbi dhe Bullgari. Audicioni është bërë në vitin 2014, ndërsa xhirimet kanë mbaruar në muajin gusht.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.