Urim HASIPI
Tetovë, 2 maj – Prej të martës edhe zyrtarisht ka filluar regjistrimi nëpër shkollat fillore të Tetovës dhe kjo do të zgjasë rreth një muaj. Sipas Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, fëmijët që do të regjistrohen në vitin e ri shkollor 2017/18 janë fëmijë që kanë lindur në vitin 2011 dhe në janar të vitit 2012, shkruan gazeta KOHA. “Fëmijët gjatë regjistrimit do të duhet të parashtrojnë certifikatë nga libri i amzës, vërtetim nga stomatologu, vërtetim për marrjen e vaksinës, fotokopje të letrës së njoftimit të prindërit. Është mirë që regjistrimi të përfundojë në muajin maj me qëllim që në kohë të planifikohet procesi mësimorë sidomos në aspektin e furnizimit të numrit të mjaftueshëm të librave, kushteve hapësinore dhe kuadrit adekuat”, tha Ahmet Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.
Ai thotë se vitin e kaluar janë regjistruar 1200 fëmijë, që ka qenë numër rekord për këto vitet e fundit kurse këtë vit presin që ky numër të arrijë deri në 1300 nxënës që do të fillojnë mësimin në shkollat fillore të Tetovës.“Dy vitet e fundit kemi përmirësim të numrit të nxënësve që regjistrohen në klasë të parë. Këtë vit presim që ky numër të rritet akoma. Përmirësim më të mirë kemi në shkollën “Kirili dhe Metodi” dhe në “Naim Frashëri” .Në këta dy shkolla ka interesim më të mdadh për regjistrim që në ditëne parë”, deklaroi Qazimi. Ai më tej nënvizoi se edhe në shkollat e Malësisë ka një përmirësim më të vogël.“Viteve të kaluara kemi pasur probleme me shkollat e Malësisë. Këto dy vite tentojmë që të mbajnë nivelin, sepse në këto fshatra kemi shumë shpërngulje nga fshati në qytet dhe kjo ndikon në uljen e nxënësve në shkollat e malësisë së Tetovës”, njoftoi për KOHA, Amet Qazimi.
Në Komunën e Tetovës gravitojnë gjithsej 12 shkolla qendrore. Nga shkollat fillore kanë bërë të ditur se janë të përgatitura për fillim të regjistrim të nxënësve dhe presin që deri në afatin e paraparë të plotësohen të gjitha vendet e parapara. Në ndërkohë, në shkollën “Liria” pritet që pas përfundimit të vitit shkollor, gjatë verës të rregullohet çatia e dëmtuar nga reshjet e shiut. “Procedurat rreth furnizimit publik janë në përfundime sipër dhe kur të njëjtat të përmbyllen, atëherë edhe do të fillohet me punë. Mirëpo, që mos ketë ndërprerje të procesit mësimorë punët me siguri se do të zhvillohet në atë moment kur do të përfundojë edhe viti shkollorë” tha këshilltari në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri. Autoritetet e shkollës që nga fund viti I kaluar kanë marrë vendim që të mos zhvillohet mësimi në katin e dytë të objektit dhe nxënësit mësojnë me orarë të shkurtuar dhe në tre ndërrime. Shkolla fillore më e vjetër në Tetovë, Liria si pasojë e pullazit të vjetruar, uji nga reshjet kishte depërtuar edhe në katin e dytë, duke rrezikuar kështu nxënësit dhe stafin punues të shkollës. Krahas kësaj, gati se vite me radhë edhe banorët e Reçicës së Vogël edhe banorët e fshatit Sellcë kërkojnë objekt të ri shkollor, por deri më tash të dy iniciativat kanë ngelur vetëm si kërkesë dhe nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara